Skip to content Skip to footer

Dita e Verës në bibliotekë

Java e aktiviteteve të organizuara nga Bashkia Elbasan me rastin e Ditës së Verës, vijoi sot në një takim në bibliotekë në lidhje me historikun e kësaj feste. Të pranishmit sollën fakte dhe dëshmi interesante rreth festimeve, riteve dhe traditave që shoqërojnë këtë festë që tashmë mban vulën e qytetit tonë. Për këtë festë studiuesit ndahen pasi disa e konsiderojnë atë si festë me origjinë pagane, rrënjët e së cilës i ka në adhurimin e Zanës së Çermenikës dhe ritet lidhen me këtë figurë sa mistike dhe popullore. Ndërkohë studiues të tjerë mendojnë se kjo festë është më e vonë, gati-gati e konsiderojnë atë me karakter fetar, duke besuar se ajo festohet kryesisht në familjet myslimane dhe e lidhin me gjurmët e festimeve shumë të ngjashme në disa krahina në Iran, por me një ndryshim që atje festohet në 21 mars, ditën e ekuinoksit pranveror. Por në një gjë, të gjithë bien dakord; kjo festë, e cila padiskutim i kalon caqet e lokales, pasi gjurmë të festimeve në këtë ditë gjejmë kudo nëpër Shqipëri, ka qenë dhe do mbetet e lidhur pazgjishmërisht me Elbasanin, sepse këtu, në qytetin tonë, ritet dhe festimet e kësaj feste janë ruajtjur si nga mot, edhe gjatë viteve të regjimit komunist kur çdo feste fetare apo pagane ishte e ndaluar. Elbasanasit, me një fanatizëm dhe origjinalitet kulturor, kultivojnë këtë festë të përtëritjes së natyrës, të harmonisë dhe bashkëjetesës së lumtur. Në fund, fëmijët recituan poezi të shkruara enkas për këtë ditë, në faqet e shtypit elbasanas.

Leave a Reply