Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Kosovarët e Lagjes Fushë-Mbret në dokumente

“Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët” dhe 90-vjetori i krijimit të Lagjes “Fushë – Mbret”

Në sallën e bibliotekës u organizua takimi me rastin e dhurimit të titullit më të fundit që iu shtua bibliotekës sonë, “Shqiptarët në Sanxhakun e Nishit – Muhaxhirët”, një kolanë voluminoze në 7 vëllime, fryt i një pune sistematike disavjeçare, është një dëshmi dokumentare për një kohë dhe një histori që prodhoi vuajtje e dhimbje të mëdha individuale, kolektive e kombëtare. Aty rrëfehet për shpërnguljen dhe dëbimin e popullatës shqiptare në fund shekullin e XIX dhe vendosjen e tyre në treva të shumta të Ballkanit e deri në Anadollin e largët.

Puna e pamatë e studiuesit Osmani sjell dokumente arkivore të kohës, dëshmi, rrëfime, referenca të verifikueshme duke dhënë kështu një kontribut të rëndësishëm në fushën e studimeve e të botimeve historiografike për këtë periudhë kohore dhe sidomos nxjerrjen në dritë të së vërtetës të kësaj ngjarjeje tragjike të popullit shqiptar.

Jusuf Osmani është doktori i parë i arkivistikës në Kosovë si dhe kandidati i parë në Universitetin e Lubjanës që mbrojti temën në këtë fushë. Me një përvojë disavjeçare si drejtues i Arkivës së Kosovës dhe lektor i lëndës së arkivistikës në Fakultetin e Filozofisë në Prishtinë, Osmani është autor i një sërë veprash shkencore e profesionale nga arkivistika, menaxhimi zyrtar, historia dhe gjeografia (vendbanimet) si dhe punime e artikuj të shumtë. Në librat e tij, ai sjell kryesisht personalitete, biografi, studime për toponiminë dhe hartografinë për vendbanimet shqiptare. Në përpilimin e tyre prof. Jusufi është mbështetur kryesisht në hartat e arkivave të Vjenës, Rusisë, Stambollit etj.

Në vëllimin e 7 të kolanës, autori dokumenton ndihmën dhe angazhimin e shtetit shqiptar për të strehuar kosovarët e shpërngulur nga vendbanimet e tyre dhe vendosjen e tyre në shumë qytete të Shqipërisë, si: Durrës, Krujë, Kavajë, Lushnje, Fier dhe Elbasan. Vala më e madhe e ardhjes së kosovarëve në Shqipëri ka qenë në periudhën mes dy luftërave botërore. Në Elbasan ato u vendosën në një hapësirë në periferi të qytetit, në Fushë-Mbret e që më vonë do të quhet Lagja Skënderbej, emër që e ka dhe sot, edhe pse në të folurën e përditshme, toponimi Fushë-Mbret mbetet mbizotërues. Në 1 tetor të 1935 u organizua ceremonia zyrtare e krijimit të lagjes ku u hapën themelet e shtëpisë së Hafëz Mustafa Dautit, të fundit myfti që pati qyteti deri në vitin 1967. Sot kjo lagje feston 90-vjetorin e krijimit të saj. Dhe pikërisht në këtë ditë feste për të gjithë banorët e saj, ne falënderojmë autorin për këtë thesar shkencor dhe me vlera për albanologjinë shqiptare, si dhe shprehim mirënjohjen ndaj z. Ahmet Dauti i cili sot ia dhuron bibliotekës këto vëllime duke i bërë ato pjesë të fondit më të mirë të saj.

90-vjetori i themelimit të lagjes Fushë – Mbret nuk është thjesht një datë – është një kujtim i gjallë i rrugëtimit tonë të përbashkët. Kjo lagjje ka një histori të pasur, me njerëz punëtorë, me kujtime të çmuara dhe me tradita që vazhdojnë të jetojnë në çdo cep të saj. Kosovarët që u vendosën në këtë lagje, jo vetëm që u ndjenë të mikpritur dhe u familjarizuan shpejt me një mënyrë jetese të re, por disa prej tyre u evidentuan për nisma dhe kontribute të vyera në fusha të ndryshme. Me bindje mund të themi se kudo ku u vendosën, kosovarët që në krye të herës u bënë pjesë organike e popullatës; ata janë shtuar, trashëguar, janë arsimuar dhe kanë punuar dhe jetojnë barabar me vëllezërit e tyre elbasanas, durrsakë, kavajas, fierakë etj.

Le ta mbajmë gjallë këtë shpirt vëllazërimi dhe bashkëpunimi edhe në të ardhmen.

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Elbasan, 1 tetor 2025

Përgatiti: Beneta Dhima

Leave a Reply