Në rubrikën “Elbasani në shkrim dhe shpirt” sjellim dy botimet më të reja shtuar fondit të bibliotekës nga autori elbasanas Bukurosh Dylgjeri. Që në përzgjedhjen e titujve, “Elbasani, dashuria ime” dhe “Copëza tradite”, autori tregon qartazi për përmbajtjen e tyre: ato vijnë si një pasqyrim i dashurisë për vendlindjen, për njerëzit që i dhanë identitet këtij qyteti si dhe vlerat kulturore, historike, arsimore, folkloristike, artistike që qyteti i Elbasanit ka. Prej afro 20 vjet, Dylgjeri ka qenë dhe vazhdon të jetë shumë aktiv me shkrimet e tij në platforma serioze si Arkiva Digjitale Shqiptare dhe portale kulturore si elbasani.org, radiandradi.com, memorie.al apo edhe në facebook-un e tij personal. Në shkrimet e tij, një përzierje midis dokumentares, kujtimeve, dhe qasjes letrare personale Bukuroshi sjell në kujtesë dhe promovon figura, ngjarje, toponimi, gojëdhëna që gati-gati rrezikojnë të harrohen. Teksa e lexon, të zgjohet ndjeshmëria dhe dashuria për vendlindjen, Elbasanin, të cilën ai shpesh e quan “dashuria ime”, duke e trajtuar qytetin jo vetëm si hapësirë fizike, por si një vlerë shpirtërore, një qendër e kulturës dhe qytetërimit, historisë dhe trashëgimisë.
Të dy këto libra të tij, mund të konsiderohen “…një vijim i Enciklopedisë – Elbasani, njëfarë enciklopedie vetjake…” siç do të shprehej Astrit Bishqemi në pasthënien e njërit prej librave. Ajo që bën Bukuroshi në publikimet e tij, qoftë virtuale apo në letër, do të mbesë një kontribut i çmuar në vendosjen e gurëve të kujtesës kolektive qytetare në kalanë e madhe të trashëgimisë kulturore jomateriale të Elbasanit.
#Elbasaninëshkrimdheshpirt
#autoreelbasanas
#trashegimiakulturore
#bibliotekapublikeelbasan
