Në rubrikën “Elbasani në shkrim dhe shpirt”, sjellim sot në shenjë nderimi për figurën dhe punën e tij të vyer, studiuesin, hulumtuesin dhe Mësuesin e Merituar, Shpëtim Haxhihyseni. Duke ecur në gjurmët e Kristoforidhit, Xhuvanit, Nosit, Shuteriqit, Haxhihasanit etj, mësuesi i apasionuar, për më shumë 40 vjet, kërkoi dhe mblodhi fjalë të rralla, fjalë të urta, njësi frazeologjike, urime, mallkime, nofka dhe fjalë fyese, histori të krijimit të disa fjalëve të urta etj, të gjitha këto “…të dala nga goja e kukurakut, darzezasit, tërvolakut të Gramshit, seferakut, belshakut dhe elbasanasit të moshuar…” dhe i solli në një botim interesant me titull “Gur i rândë n’vend të vet”. Një punë voluminoze e cila evidenton vlerat dhe trashëgiminë e madhe folklorike, etnografike e gjuhësore të Elbasanit dhe trevave përreth.
Në librin e dytë të tij, nëpërmjet fakteve, mbresave e ngjarjeve, të cilat i quan “grimca jete”, ai hodhi dritë mbi punën e madhe që kanë bërë mësuesit elbasanas në trevën e Gramshit në një periudhë afro 100-vjeçare. Ishin 429 mësues elbasanas që kanë dhënë kontributin e tyre në Gramsh e zonat përreth, me një pjesë të të cilëve, Shpëtimi ka punuar për afro 12-vjet, kohë kur ai ishte vetë mësues atje. Të gjithë këta mësues janë figura të nderuara të qytetit tonë, ata me punën e tyre lartësuan emrin e Normales dhe treguan se sakrifica dhe përkushtimi janë të pamata kur bëhet fjalë për mësimdhënien. Ata, edhe sot kujtohen me respekt nga ish nxënësit e tyre, dhe pikërisht ky libër dokumetaro-historik i mësuesit Haxhihyseni është një falënderim i drejtpërdrejtë dhe i përjetshëm për ta dhe punën e tyre.
Këto dy thesare që mësues Shpëtimi i ka lënë qytetit dhe bibliotekës, le të shërbejnë si shtysë për studiuesit e rinj në lëmë të folklorit elbasanas dhe hartuesve të biografive të elbasnasve normalistë që shërbyen me vetëmohim anembanë Shqipërisë. Respekte, profesor Shpëtimi!
Në lidhjen e mëposhtme do të gjeni disa fjalë të rralla shkëputur nga libri “Gur i rândë, n’vend të vet”.
https://bibliotekaelbasan.com/…/copeza-nga-libri-gur-i…
#Elbasanineshkrimdheshpirt
#autoreelbasanas
#trashegimiakulturore
#bibliotekapublikeelbasan
