Personalitete të njohur të qytetit të Elbasanit si dhe datat e rëndësishme 25, 28 dhe 29 nëntor, u përkujtuan në sallën e bibliotekës, nëpërmjet punimeve ndër vite të punonjësve të bibliotekës. Në fjalën e tyre në këtë takim, dy ish-drejtuesit e bibliotekës, z. Kujtim Bevapi dhe znj. Drita Cankja lartësuan dhe njëherë këto personalitete dhe ngjarje, të cilët tashmë janë bërë pjesë e historisë jo vetëm të Elbasanit por dhe të gjithë Shqipërisë. Profesor Bevapi foli për kushtet e kohës të cilat diktuan kalimin nga kërkesat për autonomi në atë për pavarësi si një domosdoshmëri e situatës në të cilën ishte Perandoria Osmane, Ballkani dhe e gjithë Evropa, si dhe mbështetjen apo mos miratimin që patën Ismail Qemali dhe qeveria e tij nga fqinjët dhe shtetet e fuqishme të kohës. Ndërsa ish – drejtuesja, zonja Drita Cankja, tregoi për mënyrën se si ajo dhe kolegia e saj Manola Hatellari punuan për hartimin e librit në të cilin renditen firmëtarët e Aktit të Pavarësisë në Elbasan, takimet me familjarët dhe pinjollët e tyre në sigurimin e fotove dhe informacioneve për secilin prej tyre. Në takim u përmend veçanërisht rëndësia e figurës së Lef Nosit dhe Aqif Pashë Elbasanit, me të cilët lidhen Shpallja e Pavarësisë në Elbasan më 25 nëntor dhe ajo në Vlorë më 28 nëntor 1912.
#nentoriifestave #lefnosi #shpalljaepavaresise #28nentori #29nentori #25nentori #bibliotekapublikeelbasan
Fjala përshëndetëse e ish drejtueses së bibliotekës, znj. Drita Cankja
Përshëndetje!
Ju falënderoj ju nxënës të shkollës Dhaskal Todri dhe mësuesen tuaj të mrekullueshme që zgjodhët bibliotekën dhe pikërisht promovimin e librit që kemi bërë unë Drita Cankja dhe Manola Hatellari, “Respekt për firmëtarët elbasanas që në 25 nëntor 1912 ngritën flamurin në Elbasan”. Në atë ditë, qyteti i Elbasanit ishte në festë jo vetëm për ngritjen e Flamurit, por edhe për të përcjellë delegatët e Elbasanit në Vlorë, ku në 28 nëntor 1912 do të shpallej Pavarësia e Shqipërisë njëherë e përgjithmonë, ku Shqipëria do të shpëtonte përfundimisht nga pushtimi turk. Elbasanasit e shkollës Nomale, të mençur, arsimdashës dhe kulturdashës…
Në një fotografi të fotografit Fot Papajani, një nga fotografët e hershëm të Elbasanit, të cilën na e vuri në dispozicion pjesëtari i familjes Papajani, aktivist shembullor i bibliotekës, mësues letërsie, dukej qartë gëzimi dhe hareja, festimi madhështor i përcjelljes së pjesëmarrësve elbasanas në Vlorën e ngritjes së Flamurit, ku u shpall Pavarësia e Shqipërisë.
Respekt për përfaqsuesit, delegatët elbasanas që janë pjesë e ngjarjes më të rëndësishme të vendit tonë, Shpalljes së Pavarësisë.
Unë do të nderoja veçanërisht figurën e patriotit, albanologut, filatelistit dhe në veçanti kontribuesin e bërthamës së fondit më të rëndësishëm të albanologjisë në bibliotekën e Elbasanit, z. Lef Nosi.
Respekt për Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri, Qemal Karaosmani, përfaqsues të Elbasanit në ngjarjen e madhe të Vlorës.
Respekt për të gjitë ata që kontribuan sado pak për këtë ngjarje të rëndësishme historike. Unë do të lexoj deklaratën që është gjetur vitet e fundit në arkivin e ushtrisë jugosllave, dhe dëshiroj ta lexoj ashtu siç është në dokumentin historik: “Ne, populli i Elbasanit, pa ndonjë detyrim nga jashtë apo nga brenda, por nga dëshira jonë e lirë bashkë me të gjithë qytetet e Shqipërisë po ia bëjmë të ditur gjithë botës së qytetëruar, se sot e shpallim veten tonë plotësisht të shkëputur nga Mbretëria turke, duke u rreshtuar si një komb i lirë, i cili me ndihmën e të madhit Zot, mbrojtësit të të gjitha kombeve dhe me mbrojtjen e qeverive të Europës shpall se do të qeverisë me nder, drejtësi dhe paanësi të plotë, pa bërë asnjë dallim feje apo dogme. Çdo shqiptar ose i huaj në këtë qeveri shqiptare, do të mundë të rrojë lirisht duke i gëzuar të gjitha të drejtat njerëzore. Edhe ne kemi ndërmend të rrojmë vëllezërisht edhe me shtetet fqinj, pa dashur t’u bëjmë as më të voglin dëm, por duke iu lutur të na ndihmojnë në qeverisjen tonë, sikurse na ndihmuan edhe në rrëzimin e qeverisë tyrke.
Rroftë Shqipëria e lirë!
Kështu e bëftë Zoti!”
Respekt për kujtimin e tyre, respekt për kontributin dhe sakrificat e firmëtarëve, për ngjarjen më të rëndësishme historike. Ju falënderoj që më dëgjuat dhe më respektuat në këtë përkujtim si dhe duke promovuar këtë libër ne nderojmë të gjithë ato që me pendë dhe pushkë shkruan me gjak historinë… Edhe njëherë faleminderit pjesëmarrësve të shkollës Dhaskal Todri, ku dhe unë dikur kam qenë pjesë e saj, si dhe mësuesen e tyre model, që bën një punë edukative me nxënësit e kësaj shkolle. Respekt për 25 nëntorin, ditën e Ngritjes së Flamurit në Elbasan! Faleminderit.
Drita Cankja
Elbasan, 24.11.2023
_____________________________________________________________________________________________________________
Fjala e drejtueses së bibliotekës, znj. Manola Hatellari
Kujtesa
Sa herë vjen muaji nëntor mundohem të gjej veten duke menduar shumë për rëndësinë e të kujtuarit, rëndësinë e mos harresës. Këto ditë ne do kujtojmë ato të rinj që dhanë jetën e tyre për çlirimin e qytetit dhe vendit tonë, do t’i kujtojmë për të mbetur në memorien e bibliotekës së qytetit. E tillë është fuqia e të kujtuarit dhe e kujtesës. E tillë është fuqia që dikush të kujtojë diçka dhe të shkruajë për historinë tonë të përbashkët. “Kujtesa është themeli i kulturës dhe identitetit të një populli dhe kapaciteti ynë njerëzor për të kujtuar dhe respektuar kujtesën na ndan nga të gjitha krijesat e tjera”. Identiteti është i rrënjosur në njohjen dhe kuptimin e origjinës dhe historisë sonë. Identiteti dhe kujtimi forcohen kur mblidhemi dhe ndajmë historitë tona qofshin të dhimbsura apo të lumtura… Lauerati i çmimit Nobel (1986), që përjetoi dhe i mbijetoi Holokaustit, Eli Ejzel (Elie Wiesel 1928-2016) ka thënë: “Pa kujtesë nuk ka kulturë. Pa kujtesë nuk do të kishte qytetërim shoqëri dhe të ardhme!” Më vinë ndër mend dhe fjalët e At Zef Pllumit: “Kurrgja në mos kjosh i zoti me ba, rrno vetëm për me tregue”, këto fjalë janë shumë domethënëse, jeto për t’i lënë brezave trashëgim historinë, kulturën që ato të ecin të sigurt drejt të ardhmes!
Manola Hatellari
Elbasan, 24.11.2023
