Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Milianov Kallupi, bohem i haikut shqiptar

Në rubrikën Elbasani në shkrim dhe në shpirt sjellim sot një një poet lirik, gazetar, botues, mik dhe njeri me vlera poetike, atë që bëri bashkë gjithë poetët elbasanas, përfaqësuesin më dinjitoz të haikut në Shqipëri, Milianov Kallupin. Edukimi në Akademinë Ushtarake formësoi që herët tek ai një njeri me shpirt të pastër, idealist, punëtor, me vullnet dhe disiplinë për t’u patur zili, gjë që e bëri Milianovin model për familjen dhe shoqërinë. Ndër pasionet e tij që e shoqëroi deri në fund të jetës ishte ai për poezinë, fushë të cilën jo vetëm që e njihte fare mirë, por solli dhe risi në poezinë shqiptare me çeljen e shtëpisë botuese “Egnatia” e cila shërbeu jo vetëm për promovimin e autorëve elbasanas por edhe për afrimin e inkurajimin e poetëve dhe krijuesve të rinj. Krijimtaria 40-vjeçare e Milianovit kulmoi me krijimin prej tij të Klub Haikut, larg Japonisë, vendit të origjinës, të cilin më pas ai e shndërroi si shkollë të tijën në Elbasan, me mjaft mbështetës të tjerë. Nëpërmjet tij, ai krijoi një ishull Haiku, me qendër në Elbasan dhe shtrirje në Shqipëri e me lidhje me Klubet e Haikut anembanë botës, dhe si kumbari i haikut shqiptar, Milianovi i dha Elbasanit epitetin e bukur “qytet lirik”, pasi me të identifikohej letërsia elbasanase. Mes miqve të tij krijues, Milianovi dallonte si një poet prodhimtar, i cili krijon shumë por nuk është përsëritës në vargjet e tij. Ai i përulet dashurisë me një qasje larg konvencionales, në mënyrë fluide, shprehëse, vëzhguese, përfshirëse, vuajtëse, çliruese, tipare këto të stilit të haikut që tek Milianovi shfaqeshin natyrshëm. Milianovi në poezitë e tij e sheh jetën si një bohem, i pajtuar me fatin e tij, i pamundur për ta ndryshuar dhe i nxitur për të parë vetëm të bukurën tek ajo, jo pa kokëçarje, por me një përulje gati teatrale, që të bën të kuptosh që pikërisht tek gjërat e thjeshta, tek përditshmëria aty gjenden grimcat e të madhërishmes lumturi. Fitues i mjaft çmimeve lokale e kombëtare e përtej, si: në Elbasan, Tiranë, Sarandë, Korçë, Rumani, Maqedoni etj. Milianovi mbetet përfaqësuesi më i denjë i brezit të poetëve elbasanas të kohës kur jetoi dhe krijoi, militant i shquar i kulturës sonë e më gjerë, duke u përfshirë në enciklopedi dhe antologji të ndryshme të botuara në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Kroaci e Greqi si dhe duke u përkthyer në disa gjuhë.

Për miqtë dhe bashkëpunëtorët e tij, Milianovi ishte kapiteni i anijes që busullën e kishte të orientuar drejt fjalës së bukur, poezisë dhe vlerave qytetare dhe njëherazi ishte dera që hapej dhe i bënte bashkë të gjithë ata emra që, dashur pa dashur, gdhendnin Elbasanin në krijimet e tyre duke e përjetësuar dhe lartësuar emrin e qytetit të tyre. Poetët jetojnë mes kujtimeve dhe krijimtarisë dhe, për Milianovin nuk ka më bukur se ta përshëndesësh me fjalët e të bijës, Eldës, e të thuash: Faleminderit, shpirtit bohem të të pranvertit, Novit tonë!

Në lidhjen e mëposhtme mund të dëgjoni:

Poezi të Milianov Kallupit interpretuar nga Ilir Borodina

 

 

 

 

 

 

 

 

Leave a Reply