Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Eriku shkruan po aq shpejt sa dhe vrapon

Erik Segal (16 qershor 1937 – 17 janar 2010) (Erich Wolf Segal ang.) ishte një shkrimtar amerikan, skenarist filmash dhe profesor i letërsisë klasike. Segal u bë i famshëm për romanin “Histori dashurie” (Love Story ang.) në vitin 1970 i cili u vu në skenë me të njëjtin titull ku Eriku fitoi Globin e Artë për skenarin e tij.

Gjatë shkollës së mesme, Segal aksidentohet gjatë një udhëtimi me kanoe dhe trajneri e udhëzon të vrapojë që të mund të shërohej më shpejt. Që nga ky moment, vrapimi u bë një pasion i madh për të. Eriku vrapoi në Maratonën e famshme të Bostonit mbi 12 herë dhe u bë dh komentator i Maratonave Olimpike të vitit 1972 dh 1976. Diplomohet në Universitetin e Harvardit dhe më pas jep mësim në Yale, letërsi klasike.

Në vitin 1967, Segal i hyn rrugës së krijimit fillimisht si skenarist në një film për grupin legjendar Bidëlls (The Beatles ang.) e më pas publikon librin e tij të parë studimor që i jep emër në rradhët e shkrimtarëve të kohës. Por libri që do ta bëntë atë të njohur anembanë Amerikës dhe që u përkthye në 33 gjuhë, ishte “Histori dashurie”, për të cilin Eriku adaptoi dhe skenarin në një film po aq të pëlqyeshëm sa dhe libri. Fama e menjëhershme e këtij libri i shkaktoi disa probleme Segalit: ai humbi punën e tij si mësues në Yale dhe libri u hoq nga një listë e madhe çmimesh pasi anëtarët e jurive refuzonin të vijonin procesin e vlerësimeve në konkurset e caktuara. Gjithsesi, Segal vazhdoi të shkruante më shumë romane dhe skenarë filmash. Ai madje shkroi një vazhdim të “Historisë së Dashurisë” të quajtur “Historia e Oliverit” në vitin 1977, për të cilin përshtati dhe skenarin në ekranizimin që iu bë librit. Romani i tij “Klasa” (1985), një sagë e bazuar në Klasën e Harvardit të vitit 1958, ishte një bestseller dhe fitoi çmime letrare në Francë dhe Itali. “Mjekët” (1988) ishte një tjetër bestseller i New York Times.

Krijimtaria e Erik Segal ka subjekte të thjeshtë, ngjarje të jetuara dhe histori thuajse biografike, me personazhe që kushdo që i lexon duket se i takon në përditshmërinë e tij. Kjo thjeshtësi dhe rrjedhshmëria në të shkruar e bëjnë Segalin një shkrimtar sa popullor dhe të pëlqyeshëm për masat. Natyrisht, të një rëndësie të veçantë janë dhe punimet e tij shkencore mbi letërsinë greke dhe latine. Ai ishte Anëtar Nderi i Kolegjit Wolfson në Universitetin e Oksfordit dhe profesor i jashtëm në Universitetin e Princetonit, LMU Mynih dhe Kolegjin Dartmouth.

Leave a Reply