Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Është bërë traditë tashmë që në bibliotekë të organizohen aktivitete në kuadër të festimeve të Ditës së Verës, festë që është e lidhur prej qindra vitesh e më shumë me qytetin tonë. Dita e Verës dhe ritet që e shoqërojnë atë, në fakt janë sa të ndryshme e të njëjta në treva anembanë Shqipërisë. Por, mënyra se si festohet e se si janë ruajtur këto rite brez pas brezi kryesisht në qytetin e Elbasanit, e bëjnë atë të duket traditë tërësisht elbasanase, sidomos nëse i shtojmë këtu dhe ëmbëlsirat karakteristike që shoqërojnë këtë festë. Këtë vit, biblioteka hapi dyert në 12 mars për ekspozitën me temë “Historiku i Ditës së Verës” ku ishin afishuar poezi të shkruara për këtë ditë, këngët që këndoheshin, ritet, gatimet, mendësitë dhe bestytnitë, momente të fiksuara në letër nga festimet ndër vite në Elbasan, si dhe personalitete të letrave shqipe që e kanë patur në fokus të krijimtarisë së tyre këtë ditë të bekuar. Natyrisht, nuk mungoi dhe takimi i përvitshëm me studiues të folklorit, njerëz të artit, mësues e nxënës të shkollave të cilët risollën kujtimet e tyre ne lidhje me traditat që familjet e tyre trashegojnë nga kjo festë. Këto rrëfime ishin shumë frytdhënëse sidomos për të rinjtë e pranishëm në sallë, pasi ata kështu mund t’i mësojnë dhe asimilojnë këto rite për t’i trashëguar në vazhdimësi.

Leave a Reply