Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Një mik i gjuhës shqipe si Pedersen

Albanologu i shquar danez Holger Pedersen, lindur #sisot më 7 prill të vitit 1867, ishte personaliteti më i përshtatshëm që bëri vështrimin serioz kritik të trashëgimisë dhe kthesën e rëndësishme në studimet e mëtejshme të gjuhës shqipe nga aspekti historik dhe krahasimtar në fillim shekullin e kaluar. Profesori i Universitetit të Kopenhagenit i kushtoi studimit të shqipes vëmendje parësore. Teza e tij qendrore mbronte prejardhjen e shqipes nga ilirishtja dhe vinte theksin te ndryshimet e papërfillshme midis dialekteve të shqipes, krahasuar me gjuhë të tjera. Pedersen është autor i një sërë librash me rëndësi në lëmin e studimeve gjuhësore. Ka botuar në gjermanisht dhe në danisht një varg studimesh e veprash për gjuhët kelte e balto-sllave, si edhe për shqipen.

Në shkrimet e tij, ai e vlerësonte lart veprën e Meyerit, por në të njëjtën kohë nxirrte në pah mungesat dhe gabimet e saj, duke krijuar kështu pika të reja referimi në studimet e ardhshme. Pas një vështrimi për disa etimologji të shqipes, qysh në dekadën e fundit të shek. XIX, gjatë qëndrimit në Korfuz në vitin 1893, ai ndërmori regjistrimin dhe përshkrimin serioz të shqipes të dialektit çam, duke bërë njëherësh dhe një punë me peshë për kulturën: mblodhi dhe shënoi me saktësi të jashtëzakonshme tekste dhe përralla shqipe, të cilat i botoi të përmbledhura në veprën me interes gjuhësore e folklorik, “Albanische Texte mit Glossar”, Lajpcig, 1895 (Tekste shqiptare me fjalor). Me punën e tij, ai arriti të rishikonte shumë nga rezultatet themelore të albanologjisë para tij, të shqiptonte hipoteza e teori të reja për to dhe të hapte rrugë e debate që u bënë objekt i kësaj shkence gjatë tërë shekullit vijues. Në vargun e botimeve mbi shqipen, publikoi veprat: “Kontribut për historinë e gjuhës shqipe” (1894), Tinguj të shqipes (1897), “Asnjanësi i shqipes” (1899), “Grykoret e shqipes” (1900) etj. Në këto botime shkencore, shpjegoi probleme të vështira të fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes, sistemet nyjore, pronoret e shqipes etj. Pederseni mbajti një qëndrim kritik objektiv ndaj mbivlerësimit të ndikimit të huaj mbi gjuhën shqipe dhe i dha një rëndësi të veçantë studimit të zhvillimit historik të brendshëm të saj. Ndërroi jetë më 25 tetor 1953.

Leave a Reply