Kujtojmë sot poetin Jamarbër Marko, i biri i shkrimtarit Petro Marko dhe i piktores Safo Marko, lindur #sisot më 19 mars 1951. Jamarbëri, apo siç e njihte shoqëria e tij nën pseudonimin Madu, është ndër poetët hermetikë që u shfaqën në vitet ’70, në një hark kohe lirie që u quajt më vonë si liberalizëm në kulturë dhe art. Poezitë e tij janë të pangjashme me askënd tjetër; janë poezi të krijuara nga gjaku i vetmisë dhe koncentrimi i dialogut me vetminë. Ai shkruante sepse e shkruara për të ishte mënyrë të jetuari. Krijimtaria e Jamarbërit nuk mund të shihet e ndarë nga jeta e mundimshme që bëri. Në poezinë e tij nuk ka mllef; aty ka një lloj këshillimi për t’u bërë njeri më i lirë, për të jetuar pa frikë dhe për të dyshuar. Jamarbëri nuk lakmoi as lavdi, as vend në poezinë shqipe. Prandaj dhe mbeti fare pak i njohur. Gjithsesi, edhe pse jeta e Madusë ishte fatalisht tepër e shkurtër, figura dhe personaliteti i tij janë gjurmëlënëse dhe mbresëlënëse në poezinë shqiptare moderne.
Në linkun e mëposhtëm është poezia himn e tij, “Sot është e shtunë”.