Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Hamejtë (nga Ridvan Dibra)

(ose në vend të pasthënies)

Më në fund, ti u binde se njerëzit (të gjithë, pa përjashtim) janë hamej dhe se shkalla e lumturisë së tyre është në përpjestim të zhdrejtë me sasinë e peshës që mbajnë mbi shpinë, çka do të thotë se sa më e madhe të jetë kjo peshë, aq më e vogël është lumturia dhe anasjelltas. Sipas këtij mosbarazimi, ata që mbajnë mbi shpinë veç fatin e tyre, janë natyrisht, më të lumturit. Të tjerët (numri i tyre po bie me shpejtësi) e ruajnë ende aftësinë të mbajnë mbi shpinë, veç fatit të tyre, dhe ndonjë fat tjetër.

Por, rrugicave të shtrembëra e periferive të humbura, gjallojnë ende ca specie të rralla, të dënuara të mbajnë mbi shpinë fatin e të gjithë botës. Ata mund t’i hasësh vetëm kur bie mbrëmja dhe, ashtu të kërrusur nga pesha e rëndë dhe të shfytyruar nga dhimbja, të ngjasojnë me stërgjyshin tonë ende të pakonfirmuar-majmunin. Dikur, të tilla qënie, ishin të rrethuara me lavdi, ftoheshin në dreka e gosti dhe, gjithmonë zinin bashin e vendit. Sot, ata tallen e fyhen e, jo rrallë, gjuhen edhe me gurë nga fëmijët. Ndodh të kujtohet ndokush e t’i ftojë banketeve, por dhe atëherë vendi i tyre është diku nga fundi, aty ku rrinë zakonisht shërbëtorët e lakejtë.

Në rrethana të tilla, ata ua kthejnë shpinën të gjitha banketeve e festave të botës, duke dyshuar orë e çast në perëndimin e kohës së tyre dhe duke shpresuar se një ditë të largët, kur të zbulohen e të studiohen fosilet e tyre, dikush do t’ua çmojë vuajtjen dhe dhimbjen.

Po atë ditë, do të ndizen debate të zjarrta rreth origjinës së fosileve. Dikush do të përmendë mamuthët. Dikush tjetër-poetët.

© Ridvan Dibra, “Vetmia e diellit”, 1995

Leave a Reply