Biblioteka ambulante është një pjesë e rëndësishme e punës në bibliotekat publike në përgjithësi, sidomos kur bëhet fjalë për qytete relativisht të mëdha siç është dhe qyteti i Elbasanit. Ky është një shërbim i cili është funksional në bibliotekën tonë prej dhjetëra vitesh, duke shërbyer si urë e vërtetë lidhëse e lexuesve me bibliotekën, pa qenë nevoja të jenë fizikisht në bibliotekë. Me anë të bibliotekës ambulante bëhet e mundur që grupe të ndryshme të shoqërisë me nevoja dhe kërkesa të veçanta të mos ndjehen të privuar nga anëtarësimi në bibliotekën publike dhe shfrytëzimi i fondeve të saj. Përgjithësisht, grupet e interesit kanë qenë dhe janë: shtëpitë e të moshuarve, spitalet, qendrat ditore sociale, njerëz me aftësi të kufizuara ose të pamundur, pensionistë etj. Punonjësit e bibliotekës ndër vite kanë dhënë kontributin e tyre individual për t’u shërbyer këtyre komuniteteve duke çuar librin dhe materialet bibliotekare pranë tyre, duke sugjeruar tituj të rinj dhe duke plotësuar kërkesat e tyre specifike. Më së fundmi, në takimin e Forumit të Gruas në Elbasan me intelektualet në pension, përfaqësueset e shërbimit ambulant të bibliotekës sonë në një bisedë miqësore me zonjat e pranishme, folën për rëndësinë e librit dhe leximit, anëtarësuan lexuese të reja dhe dhuruan një sasi të konsierueshme librash.
