Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

“Drita e shpirtit” të Enit

Një postim i vonuar, por jo i harruar….

Muajin e kaluar, në bibliotekën “Qemal Baholli ” u bë promovimi i librit “Dritë shpirti ” i poetes Eni Kodra. Takimi i rastësishëm krijoi një miqësi të bukur! Shoqja ime, Enisa, më thotë se një mikja e saj, që punon në Gjermani, do të botojë një libër me poezi dhe kërkon një redaktuese. Isha në fillimin e vitit shkollor dhe ngarkesa ishte e madhe. Një telefonatë e poetes dhe leximi i disa poezive të saj më tërhoqen si me magji. U krye redaktimi brenda një kohe të shkurtër dhe ia dërgova materialin me e-mail. Kaluan pak javë dhe mora vesh që Eni kishte ardhur në Shqipëri dhe donte të më takonte. Para meje shfaqet një vajzë e qeshur, me një buqetë me lule dhe libër në dorë. E kishte botuar librin. Një sukses i madh!! U gëzova shumë. Eni më dhuroi një libër dhe me kënaqësi më tregoi se si emri im ndodhej në libër. Bëmë një bisedë të këndshme sikur kishim kohë që njiheshim. Eni ishte një vajzë me botë të pastër, gjë që unë e pashë në poezitë e saj. Titulli i librit “Dritë shpirti” i shkonte shumë për shtat shpirtit të saj të bukur!

Më ftoi në promovimin e librit. Gjithçka ishte në lartësinë e duhur, pasi Eni ishte kujdesur deri në detaj. Eni është shembulli më i mirë i dashurisë dhe pasionit për librin. Nga ana tjetër, ajo zgjodhi që promovimin e librit ta bëjë në qytetin e saj të lindjes, në bibliotekën e qytetit, që shquhet për inkurajimin që i bën krijuesve të rinj. Unë i uroj shumë suksese në fushën e bukur të letërsisë! Kënaqësi që të njoha Eni! Sa bukur kur krijohen miqësi të reja përmes librave! Shëndet e suksese të vazhdueshme!

© Ky postim është përcjellë nga muri i facebook-ut të redaktores së librit, Manjola Shehu Hajdari.

Libri më i ri “Dritë shpirti” tashmë bëhet pjesë e fondit të bibliotekës. Poetja Eni Islami Kodra, ka sjellë për lexuesin poezitë e saj të shkruara me ndjenjë duke transmetuar vlera dhe pozitivitet.

#promovimlibri #autoreterinj #bibliotekapublikeelbasan

Leave a Reply