Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Fondi i Albanologjisë

Biblioteka Publike “Qemal Baholli” Elbasan ka një sasi të konsiderueshme librash në sektorin albano-ballkanologjik, numri i të cilëve është mbi 5000 ekzemplarë. Bërthama e këtij fondi është krijuar nga biblioteka personale e atdhetarit dhe intelektualit të njohur elbasanas, Lef Nosit. Pjesa tjetër janë dhuratë nga persona dashamirës që e posedonin këtë trashëgimi të vyer kulturore si dhe nga blerjet e përvitshme.

Librat në këtë fond janë në gjuhën shqipe dhe të huaj. Një pjesë e tyre janë latinisht, duke qenë se latinishtja përgjatë shekujve XV-XVI ka qenë gjuhë zyrtare në Evropë. Në to shkruhet për Epirin, Ilirinë, Skënderbeun dhe bëmat e tij, etj. Një pjesë e rëndësishme e këtij fondi janë Antikuarët, afërsisht 600 ekzemplarë, në të cilën janë përfshirë botime të historianëve të shquar të kohës, si: Appianus, Paulus Jovius, Andrea Cambini, Chalcondyle, Titus Livius, Demetrio Franco, etj.

Libri më i vjetër që ndodhet në bibliotekën tonë është “De Bellis Civilius Romanorum” i Appianit, botim i vitit 1526, në Venetia.

Tek vlerat e rralla të fondit tonë hyjnë dhe një sasi e konsiderueshme librash të Orientit, tematika e të cilave është nga fushat e matematikës, mjekësisë, historisë, fesë, etj.

Librat e fondit albano-ballkanologjik kanë vlera të rralla për historinë, gjuhësinë, etnografinë dhe kulturën shqiptare.

Duke zotëruar këtë fond, së bashku me fondin e periodikut të vjetër, biblioteka jonë renditet ndër më të pasurat në vend.

Leave a Reply