Promovim libri
Biblioteka hapi dyert e saj për të pritur si rrallë herë të gjithë bashkë mësues të letërsisë të shkollave të mesme të qytetit, ish – mësues, intelektualë, artistë dhe nxënës të gjimnazeve të qytetit. Ajo që i bëri bashkë të gjithë këta, ishte dëshira për të qenë pjesë e promovimit të librit me poezi të autores Marsela Haxhimusai. Një pjesë e pjesëmarrësve të cilët e kishin lexuar librin, ndanë përshtypjet pozitive dhe frymëzuese që vargjet e poetes kishin lënë tek ta. Dikush preku dhe vlerësoi përzgjedhjen e titullit aq të veçantë dhe shumë shprehës; dikush tjetër përzgjedhjen e kopertinës “aq e thjeshtë dhe detajiste, pikërisht ashtu siç vetë Marsela është”; dikush tjetër vlerësoi guximin për të shkruar në gegnisht, si një dialekt i “âmël që i jep ritëm dhe rimë çdo vargu”; dikush tjetër përgëzoi për tematikat që preken në libër, ato që kanë të bëjnë me femrën, “të cilat për shoqërinë tonë tonë janë akoma të brishta e që kullojnë plagë”… e në fakt Marsela këtë ka bërë në librin e saj, në pezitë e grupuara në kapituj të veçantë; ajo ka sjellë gruan, femrën, nënën, vajzën, bashkëshorten, kolegen, miken në të gjitha dimensionet e saj, zëri i saj edhe pse i dobët në një shoqëri të egër thotë të vërteta që dhembin, thyen tabu dhe ndryshon e ndriçon ideale. Për Marselën femra lartësohet njëtrajtësisht me “njeriun” brenda vetes; ajo nuk është egoiste, e papjekur, e nxituar apo e papërgjegjshme, ajo është e kudogjendur, është e dhimbshur, qan dhe bën të tjerët të qajnë, qesh dhe i pëlqen të shohë të tjerët të buzëqeshin, ndjen dhimbje dhe e mban atë brenda vetës duke shfaqur një dhimbje të bukur. Marsela është kaq e tejdukshme dhe e lexueshme në poezitë e saj; nëpërmjet penës së saj ne imagjinojmë një vajzë, në një tjetër varg një lufatrake, në një tjetër një grua të përkushtuar, diku tjetër një e dashur që jepet pa kushte, pastaj një nënë që nëpërmjet dhimbjes sjell dashurinë dhe përtërin jetën dhe diku një vajzë që do mbetet përjetëisht e vogël në sytë e të atit. Në poezitë e saj, femra e do jetën, pajtohet me fatin dhe lufton për ta përmirësuar atë, fal dhe merr dashuri të të gjitha formave, bie pre e botës së egër por përsëri e gjen forcën të ringrihet, nga dashuria…
https://www.facebook.com/1695440923/videos/785880879860250/
#Nântëherëgrue #promovimlibri #poezia #marselanenihaxhimusai #bibliotekapublikelebasan
