Krijimtaria e autorit elbasanas Arif Rama u promovua ditën e shtunë, në datën 23 shtator, në sallën e bibliotekës. Miq e familjarë të autorit, ndjekës të bibliotekës, figura të nderuara të qytetit u bënë bashkë për të folur e dëgjuar për krijimtarinë e z. Rama, e cila është një poezi sa epike dhe e ndjeshme. Ajo, me anë të rimës së thjeshtë e të këndshme, vjen natyrshëm tek lexuesi dhe bëhet njësh me të. Në poezitë e tij, dhe së fundi në prozë, Arifi prek dukuritë shoqërore, me të mirat dhe të këqijat e tyre; atë e shqetësojnë ndryshimet që së fundmi kanë ndikuar në lëkundjen e vlerave të shoqërisë, dhe kjo gjë poetin e shqetëson, e revolton, ai nuk mund ta pranojë këtë, dhe nëpërmjet rreshtave te hedhur në letër ai gjen ngushëllim dhe i fton të gjithë të reflektojnë. Autori, i cili është poet prej kohësh dhe njihet në radhët e letrarëve të qytetit, së fundmi ka guxuar të shkruajë në prozë të shkurtër. Librat e tij, tashmë janë pjesë e fondit të bibliotekës. Më poshtë, gjeni fjalën përshëndetëse të redaktorit të librave të tij dhe mikut tij të vjetër, z. Rakip Zhguni, dhe të z. Bardhul Toda mbajtur enkas për këtë takim.
Fjala e redaktorit të librit, Rakip Zhguni
Epizmi i një poeti
(Rreth librit poetik “Kala mbi male” të poetit Arif Rama)
Me Arif Ramën na lidhin dy gjëra: jemi nga e njëjta zonë dhe ecim të të njëjtën udhë, në udhën e krijimtarisë letrare. Tashmë këto dy gjëra bëhen më të fuqishme dhe kjo ka bërë që të kemi një bashkëpunim të frytshëm së bashku.
Pas shumë hezitimesh e dilemash, më së fundi, Arifi na ka dhuruar disa libra, duke lëvruar me sukses poezinë, epigramet, fabulat, gjëegjëzat dhe tregimet. Duhet shumë kohë që të flasësh për krijimtarinë e tij. Kam patur fatin dhe nderin që të jem redaktori i këtyre librave, këshilluesi i tij, nxitësi dhe përkrahësi i tij dhe këto, sepse tek Arifi vura dhe vë re përpjekje serioze për të na dhënë libra me vlera njohëse dhe edukative. Tërë krijimtaria e tij nuk lindi rastësisht dhe në truall të zbrazët. Përpjekjet e Arifit për të shkruar janë shfaqur që në rininë e hershme, madje shkas dhe nxitje ka marrë edhe nga kursi dymujor për gazetari, të cilin e kemi kryer së bashku.
Natyrisht, nuk mund të flas për tërë librat e tij, por dua të ndalem te poezia e Arifit, te vëllimi poetik “Kala mbi male”. Kushdo që e ka lexuar këtë libër, besoj se ka arritur të kuptojë e ndiejë regëtimet e shpirtit poetik të Arifit.
E veçanta e poezisë së tij është karakteri epik, dmth poezitë kanë brenda një fabul, një ngjarje, një ndodhi, një episod, një vëzhgim, një përshtypje dhe pastaj poetizimi i tyre nëpërmjet figuracionit funksional. Ky epizëm është bërthama apo shtylla kurrizore në ngrehinën e tërë librit. Vetë titulli i librit dëshmon dy kulme: kalaja dhe mali, të cilët për shqiptarin kanë qenë fortesa të qëndresës shekullore. Kulmi i epizmit në këtë libër poetik është, padyshim, vendlindja e poetit, Shmili, duke e parë historinë e tij të lidhur me historinë e Çermenikës.
“Është kala mbi male historia e shkuar”, – pohon poeti, duke evokuar luftërat e kësaj zone kundër çdo pushtuesi për liri dhe pavarësi, aq shumë të dëshiruara.
Libri trajton edhe probleme shoqërore, duke vënë gishtin në plagët e vjetra e të reja të shoqërisë së sotme dhe që ne i njohim e i përjetojmë. Natyrisht, poeti nuk bërtet, nuk çirret e ulërin, por me mprehtësinë e fjalës poetike çik këto plagë, duke kërkuar nga mbarë shoqëria qëndrime të drejta ndaj këtyre dukurive negative.
Vargu i Arifit është mbështetur edhe në tabanin popullor, qoftë në përmbajtje, qoftë në formë dhe kjo duket në të poetizuarit shtruar e qetë, siç themi ne, babaxhançe. Edhe nga forma ai shkruan poezinë tradicionale me strofa katërshe dhe me rimë. Nuk besoj se poezia tradicionale, e përdorur nga mjeshtrit e mëdhenj, është e prapambetur, arkaike, përkundrazi, tek Arifi merr vlera të reja.
E njëjta gjë ndodh edhe me epigramet, që më së shumti janë katërvargësh me ide e mendim të përqendruar, të saktë dhe, pse jo, edhe filozofike. Në to shpaloset përvoja popullore e mendimit të drejtpërdrejtë në parashtrimin e ideve e problemeve. Është një lakonizëm i veçantë ky tek Arifi.
Po të lexosh me kujdes krijimtarinë e tij, krijon idenë se shkruan me zemër e ndjenjë, duke përçuar te lexuesi ide dhe mesazhe të goditura e domethënëse. Për Arifin janë plagë shfaqjet e shëmtuara, që ndeshen shpesh në shoqërinë e sotme. Ja përse ai duhet përgëzuar. Ai është njohës i thellë i realitetit e pa këtë njohje as që bëhet fjalë për krijimtari. Ai lexon shumë, por kryesore mbeten vëzhgimi i hollë dhe i imtësishëm i jetës dhe pastaj paraqitja artistike pa fjalë bombastike, por thjesht, qartë e bukur.
Mund të tjerrim lëvdata sa mund, por Arifi e meriton. Edhe pse ka ndonjë të metë, sidomos në rimat foljore në varg, përsëri poezia e Arifit është e këndshme, tërheqëse, e cila, siç thamë, përshkohet nga fryma epike, duke u bërë kështu një zë i ëmbël, i cili me fjalën e tij poetike vendos një gur sado të vogël në kështjellën e bukur të artit e, në veçanti, të poezisë. Këtë nuk e them unë, por kam ndjekur në fejsbuk pëlqimet dhe komentet e shumta që i bëjnë lexuesit.
Së fundi, jam i bindur që Arif Rama do të na japë libra të tjerë, ndaj i urojmë suksese të mëtejshme në rrugën e vështirë, por të bukur të krijimtarisë letrare.
Faleminderit!
Elbasan, më 23 shtator 2023
______________________________________________________________________________________________________________
Me krijimtarinë e mikut tonë Arif Rama, këto katër libra të botuar janë përmbledhja e pasionit të tij për të shkruarin, e pasqyron në faqen e tij në rrjetin social facebook. Janë këto lidhje dhe kontakte në kohën e sotme, që të mundësojnë njohje nga më të ndryshmet, por kur njeh një njeri dhe mik si Arif Rama, është kënaqësi shpirtërore, pasi Arifi në tiparin e tij krijues ndan dhe bashkon njëherësh Arifin njeri, dhe Arifin krijues. Në tiparin njerëzor, Arif Rama është ai që përmes buzëqeshjes së pa munguar të jep nga vetja atë mirësi të pa kursyer, duke e trajtuar drejtë dhe saktë çfarë i takon njërit apo tjetrit, pavarësisht problemeve dhe shqetësimeve të brendshme, që nuk mungojnë tek askush. Ndoshta pa e kuptuar, Arifi zbaton aq njerëzisht shprehjen: Jepi Çezarit, çfarë i takon Çezarit! Në të njëjtën linjë ecën edhe krijimtaria e tij e shkruar. Në të gjitha format që Arifi na paraqitet si krijues, në poezi, fabula apo tregime, shtrirja e mendimit dhe e trajtimit shumë planësh tematik, janë faktorë të jashtëm të shoqërisë sonë në përgjithësi, janë mbi të gjitha dukuritë e pas viteve ’90-të, në këtë jetë politike shumë partiake, dhe gjoja demokratike.
Në librin “Të panjohurit”, kjo dramë e shoqërisë së sotme ku padrejtësitë janë aq të shumta, saqë jemi në atë stad që, zbatimi i drejtësisë na bën përshtypje dhe jo e kundërta, tregimi me të njëjtin titull, është pasqyra më e qartë e këtij realiteti; fikja e moralit personal dhe atij familjar. Para këtij morali të turpshëm, qëndron një vajzë e mashtruar jo vetëm nga jarani i saj, por ky mashtrim përforcohet me zhgënjimin e familjes së tij. Manjola, vajza personazh i këtij tregimi, dhe trajtimi pozitiv i karakterit të saj, përdoret nga autori si pika e fortë e mbijetesës për raste të tilla, për të dhënë mesazhin e fortë të mbizotërimit njerëzor, mbi çdo tradhti, padrejtësi apo fatkeqësi.
Në të njëjtën linjë dramatike trajtohet edhe tregimi “Jetimët”. Ndarja e vëllait nga motra, kur ata gjendeshin në jetimore nga tragjedia e tyre familjare e vdekjes aksidentale të prindërve, është një tjetër drithërimë e padrejtësive që ndodhin. Por, sërish, Arif Rama, njeriu dhe krijuesi me shpirt pozitiv, brenda tragjedive dhe dhimbjeve, jep gjithmonë happy end, pra përfundime të lumtura.
Në tregimin “Kamerierja”, në ato pak rreshta del qartë dhe pa asnjë nënkuptim dhimbja e vuajtjes së disa njerëzve që në fakt janë shumicë, përballë atyre, pakicës së majmur dhe të dhjamur padrejtësisht nga e gjithë tallavaja e “demokracisë” shqiptare. Përballja dhe durimi i një vajze të re, punësuar si kameriere, pothuajse është në përballje të përditshme me atë lukuni të rinjsh të paaftë për punë, parazitë, të orientuar drejt botës së krimit, nga shkaku i thjeshtë i pasurimit padrejtësisht të prindërve, duke dëmtuar edukimin e fëmijëve të vet.
Tek tregimi “Çifti i ri”, fabulën për një tjetër happy end, autori e merr nga gjallesat e natyrës, duke i përcjellë mesazhin bashkëshortit të llastuar për sjelljet e tij gati-gati të një bajraktari mesjetar.
Në tregime të tjera, si “Dy gënjeshtra”, “Trazovaçi”, “Nuk të thashë”, me finesë autori trajton episode ironike për marrëdhëniet midis shokëve, kulturës familjare apo jetës në çift të pasinqertë, modele të cilat edhe pse mund të jenë trajtuar më parë në forma të tjera interpretimi edhe si barsoleta, për mesazhin që trajtojnë qëndrojnë mirë në libër.
Në krijimtarinë e vargjeve poetike, Arifin e gjejmë në një plan më të butë shpirtërisht. Në këtë zhanër duket se autori nuk e ka shumë merak thelbin e mesazhit që duhet të përcjellë, sesa i kushtohet çlirimit të ndjesive të tij të brendshme ndaj fëmijëve, bashkëshortes dhe trashëgimtarëve të brezit të tij dhe jo vetëm, ndoshta si detyrim apo dhuratë urimesh dhe fjalësh që ndoshta ndonjëherë bëhen më të vështira për t’i thënë përballë. Kjo dlirësi e të shprehurit me anë të të shkruarit, janë dukshëm të qarta si përjetime që e turbullojnë zemrën e pastër dhe të drejtë të autorit Arif Rama. Është kjo një ndjesi që ndodh në përgjithësi tek krijuesit, por tek Arifi drejtësia dhe pastërtia shpirtëror qëndrojnë bashkë të pandarë, sepse kështu është edukuar Arif Rama.
Origjina e tij nga trevat e Çermenikës, është krenari e trajtuar me urtësi prej tij, duke vepruar ashtu siç duhet të veprojnë njerëzit e mençur. Në cilësinë edhe të nënkryetarit të OKDA Elbasan, Arifin tonë e njoh edhe në anën atdhetare që buron nga shpirti i tij. Pëlqimet dhe komentet e tij në faqen e kësaj organizate për çdo veprimtari që organizojmë, apo për çdo postim të rastit, janë pjesë organike që lidh bukur trinomin artist-njeri-atdhetar.
Të nderuar të pranishëm! Të flas për Arif Ramën realisht më duhet shumë kohë, sepse Arifi është një përbërje e kompletuar, dhe për secilin element ka vlera që ecin si veçmas ashtu edhe bashkë, dhe rrinë të pavarura njëra-tjetra pa e zhbërë qenien e tij të plotë. Në këtë rrugëtim, i uroj arritje të reja, dhe të jetë gjithmonë aktiv! Mbi të gjitha i uroj shëndet të përbashkët me familjen tuaj, në dobi të vlerave që keni, në dobi të vlerave të kësaj shoqërie dhe të këtij vendi që ka nevojë shumë për njerëz të drejtë dhe të mirë!
Ju faleminderit të gjithëve për vëmendjen!
Bardhul Toda
E shtunë, 23 shtator 2023
