Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Një poete si Meri

Në sallën e bibliotekës, u organizua promovimi i krijimtarisë së një poeteje që premton shumë, Meri Myftari. Subjekt i takimit ishin dy vëllimet e saj poetike: “Mos i thuaj lamtumirë botës” dhe “Fytyrat e kohës”, ky i fundit shkruar në dy gjuhë, në shqip dhe anglisht. Edhe pse Meri ka filluar të shkruajë që herët, dhe kryesisht poezi, ajo nuk është përsëritëse në krijimet e saj, përkundrazi, me rritjen, ato vijnë me një shtrirje tematikash dhe një qasje tjetër ndaj një bote që herë është miqësore dhe herë jo me Merin. Për të folur për të veçantën e vargurt të saj, në panel ishte studiuesi Fatmir Musai, i cili ligjërimin e tij e shoqëroi dhe me recitim të poezive, gjë që ngrohu atmosferën në sallë. Më pas, miku i bibliotekës, Bardhul Toda, lexoi një analizë të detajuar rreth librit të parë, i cili përfshin poezi shkruar në një moshë të hershme. Ndërsa, për të sjellë ndjesi dhe përjetime personale rreth poezive të librit të dytë, klasifikatorja e bibliotekës, Beneta Dhima referoi një material, ku krahas të tjerave, i mëshoi risive të të shkruarit në gjuhën angleze dhe publikimit online të krijimtarisë së autores. Në promovim, krahas miqve dhe familjarëve të Merit, ishin dhe përfaqësues nga Klubi i Krijuesve Elbasanas, poetë dhe krijues, të cilët me fjalën e tyre inkurajuan Merin të vijojë të shkruajë, dhe pse jo të eksperimentojë dhe në gjini të tjera letrare. Një personazh i veçantë i takimit, kompozitori i mirënjohur Naim Gjoshi, kishte përgatitur një surprizë për të pranishmit, pasi, një poezie të Merit, i kishte bashkëngjitur nota muzikore dhe kish krijuar një këngë të kënduar nga ai vetë. Promovimin e shoqëruan nxënësit e Merit dhe djaloshi i talentuar Eglis Toska, të cilët me interpretimet e poezive krijuan çaste të bukura në sallë. E përgëzojmë Merin, miken më të re që i shtohet bibliotekës sonë me krijimtarinë e saj, dhe urojmë që shpejt të rikthehet në bibliotekë me botime të reja.

Më poshtë është fjala e z. Bardhul Toda dhe znj. Beneta Dhima.

 

Bardhul Toda

Të nderuar të gjithë të pranishëm!

Së pari ju falënderoj për mundësinë që i dhatë këtij mjedisi kulturor, rëndësinë që meriton, duke sakrifikuar nga koha e çmuar e secilit prej jush!

Në këtë sallë sot na bëri bashkë një tjetër burim frymëzimi shpirtëror me dy vëllime poetike, vëllime që kanë për nënë autoren më të re në raftet e Bibliotekës Publike “Qemal Baholli” Elbasan, dhe të bibliotekave tona vetjake, me emrin Meri Myftari.

Nga një kohë jo shumë e gjatë nga sot, Meri nuk është tashmë thjeshtë një emër në listën e bashkëjetuesve në qytetin tonë Elbasan, por kësaj kohe, duke i shtuar këtë mjedis intelektual dhe, vazhdimësinë e përcjelljes së përshtypjeve të këtij takimi jashtë mureve ku jemi mbledhur, emri i saj është në listën e krijuesve të fjalës së shkruar jo vetëm për Elbasanin, por edhe më gjerë.

Në një kohë të shkurtër, Meri vjen tek lexuesi me dy vëllime poetike, të titulluar: “Mos i thuaj lamtumirë botës” dhe, “Fytyrat e kohës”.

Janë dy vëllime që burojnë nga e njëjta qenie njerëzore, ku bashkimet dhe largimet janë në binjakësi paralele në ndjenjë, mendim dhe shprehje.

Titulli i vëllimit poetik: “Mos i thuaj lamtumirë botës”, në serinë e botimeve të autores Meri Myftari, është i pari në radhë, dhe natyrisht takimi fillestar i lexuesve me krijimtarinë e saj.

Ky titull, në plan të parë, duket si orientim për lexuesin në një këndvështrim këshillues për atë çfarë është bota në vetvete, edhe pse me përballjet e pa parashikuara që ajo të ofron. Me një zhvendosje hipotetike të fjalëve të këtij titulli, duke e kaluar atë në formën: “Mos i thuaj botës lamtumirë!”, ndryshimi është tejet i lehtë, duke pasur parasysh përmbajtjen e tërë vëllimit.

Arsyeja?

Për të kuptuar arsyen, duhet të shëtitësh në vargjet e këtij vëllimi. Në këtë park të larmishëm fjalësh dhe ndjeshmërishë, është vetë bota e brendshme e autores, botë të cilën ajo e ka nxjerrë nga hermetizmi i saj, duke e bërë tashmë publike në këtë përmbledhje poetike.

Në ulje ngritjet emocionale të shprehura përmes vargjeve, lundron edhe vetë anija shpirtërore e autores, e cila me dëlirësi dhe guxim, kërkon të konsolidojë kapërcyellin midis dy botëve të gjykimit dhe trajtimit të gjerë të mendësisë së shoqërisë sonë, kundrejt shpërkundjes që i duhet bërë kësaj mendësie ndaj qenies femërore, të pa përkrahur aq sa duhet.

Përpos kësaj, në dramacitetin e përjetimit të ngjarjeve nga brishtësia femërore, Meri me aq finesë shfaq një mesazh të fortë, ku mbizotëron qetësia dhe fisnikëria e femrës, pa u shtirur apo viktimizuar në mëshirë të fatit. Meri, butësisht shkruan:

S’pati ndarje, as dramë, as zhurmë, as britëm, as lot.

Heshtja zbarkoi si anija që vjen pa njoftuar në port.

Thjesht “zjarri” u shua.

Si drita që venitet pa u vënë re në muzg.[1]

Forcën femërore që përcjell autorja në vetën e parë, përpos dhimbjes dhe ndrydhjes së brendshme që kalon gjithkush në raste të vështira, pa dallim gjinor, Meri e ka hedhur tek lexuesi si shembulli që duhet të mbetet tek gjithkush, paçka kthesave të rrëpirta që dalin papritur në rrugën e pa njohur të jetës.

Vetëpërmbajtja dhe mënyra e transmetimit të shembullit të forcës, është edhe pesha që mban brenda vetes autorja, dhe, nuk gaboj kur them se, një nga shtysat që i ka dhënë sigurinë për të nxjerrë në dritë vëllimin e parë poetik, është pikërisht ky tregues fisnik, për të thënë:

“Kjo është jeta, por nuk duhet të dorëzohemi!”

Në këtë koncept trajtimi të vargut, duke përjashtuar me vetëdije dhe kurajo përhapjen apo “infektimin” e të tjerëve me “virozën” që zbret qoftë individualisht apo në formë masive, Meri përcjell një tjetër mesazh të bukur dhe kurajoz të përballjes me të keqen brenda vetes, pa dashur që kjo e keqe të përhapet dhe të bëhet virale. Me inteligjencë dhe varg poetik, ajo shprehet:

Dua të qaj, të shfryj deri në agim,

Le të endet shpirti, vorbullës të zjarrit tim.

Ndërsa poezia “Mos i thuaj lamtumirë botës”, e cila i ka dhënë edhe titullin vëllimit të parë me krijime poetike të Meri Myftarit, e përmbledhur në katër rreshta të thelbit të mesazhit, thotë:

Mos i thuaj lamtumirë botës,

kur toka nën këmbë të rrëshqet…

………………………………………………….

Mos merr vendime që vetëm të dorëzuarit marrin,

mos zgjidh rrugën e lehtë…

 

Në vargjet e këtij vëllimi poetik, për të cilin pas leximit secili nxjerr përfundimet në raport me këndvështrimin e autores lidhur me atë vetjak, një gjë mbetet pothuajse unike: Fuqia e suksesshme e një femre, përballë stuhive të padrejta të përditshmërisë, që në përgjithësinë e tyre janë formuar nga ditë, javë, muaj, ku të gjitha përmblidhen me një fjalë: JETË.

Duke kaluar në një plan tjetër vështrimi të këtij vëllimi, dua të përmend edhe formën strukturale të kësaj “ndërtese”.

Thyerja e ritmit të vargut në shumë raste, qoftë në fillim apo në fund të poezive, duke ndryshuar edhe vijën melodike të kompozicionit të rregullt nistor në poezi, për autoren Meri Myftari duket që nuk përbën një problem serioz.

Duke i ndjekur me vëmendje deri në fund ato krijime të kësaj forme, del në pah rëndësia që autorja i jep forcës së detajuar të mendimit dhe shprehjes së saj, qoftë edhe në disa raste me proleksitet.

Mendoj se, para fuqisë së fjalës në vargjet poetikë të vëllimit, dhe karakterit të mosdorëzimit të autores, edhe redaktorja Nertila Zani, do të ketë hasur vështirësi.

Nëse Nertilën e kemi në sallë, do ta pyesja: A ke thënë ndonjëherë me vete, ah Meri, ç’pata që u mora me ty!?

Gjithashtu, në anën strukturore të të shprehurit të disa fjalëve, si: rrept (f. 40), mjeran (f. 58), dallg (f. 79), etj., janë fjalë që u mungon ë – ja fundore e letrares, ndërsa janë ndërthurur me stilin e formës fonetike të të dëgjuarit dhe të të folmes së përditshme, ku ë – ja fundore fonetikisht vjen e shurdhër ose e pa zëshme.

Me këtë kompleks strukturor, Meri Myftari, me vëllimin poetik “Mos i thuaj lamtumirë botës”, vjen si arkitektët e kohëve moderne të industrisë së ndërtimit, ku jo rrallë shohim objekte të reja, me thyeje dhe kompozime të ndryshme në fasadë dhe në brendi të ndërtesës, përjashtuar pothuajse krejtësisht rregullat bazë të ndërtimit dhe të vijës lineare që vjen nga rregullat e përcaktuara, qofshin këto edhe klasike apo të domosdoshme.

Në këtë përpjekje dhe arritje të shpejtë të botimit të dy vëllimeve poetike, Meri Myftari tregon këmbëngulje dhe ambicie për më tej, duke dashur të jetë një nga gurët e gdhendur të një muri krijuesish që njeh vetëm rritje në lartësi dhe volum.

Pa ndërlikime fjalësh, me figuracione metaforike dhe krahasuese, Meri nuk synon të krijojë një madhështi artificiale për botën e saj krijuese, por ajo vjen e thjeshtë, si nikoqiret e pa stolisura rëndë, por me pastërti të dukshme, që mposht çdo ngarkesë luksi me bizhú të tepruara.

Në thelb, kjo është vetë Meri Myftari si njeri, si krijuese, si nënë, si bashkëjetuese e Elbasanit, si kolege dhe mike.

Gjithçka tjetër që sjell reaksioni i zilisë kundrejt vlerave të çiltërsisë dhe e të qenurit e hapur dhe pa barriera, Meri, në mënyrën më të mirë të mundshme dhe më të bukur të të shprehurit, u jep në dorë botimet e saj, për t’u dhënë infektuesve antibiotikun kurues të sëmundjes së tyre të rëndë.

Me këtë mënyrë Meri u flet “pacientëve” të vet. Në këtë mënyrë, Meri u jep në dorë të tjerëve pasqyrën e saj, që botën ta shohin me sytë dhe botën e saj, dhe gjithkush që në atë pasqyrë do të shohë fytyrën e vet, të kuptojë më thellë vetveten. Ndërkohë, nga kjo pasqyrë, Meri na tregon Merin e jashtme dhe të brendshme, ku brenda qenies femërore me emrin e saj, qëndron forca, vullneti dhe guximi, tipare që vetë Meri dëshiron t’ia japë në dorë si dhuratë, çdo qenie njerëzore femërore, si mjetet më të mira të çarjes së atij rrethimi të egër, edhe pse i padukshëm.

Meri, me kënaqësinë që më ke dhuruar me besim, me kënaqësinë që jam mes këtij auditori, me germa të mëdha të them me shumë nderim: TË LUMTË!

Me përulje të thellë që më dëgjuat,

Bardhul Toda

Biblioteka Publike “Qemal Baholli”

Elbasan, e enjte, datë: 16 tetor 2025, ora 17.oo

_______________________________________________________________________________________

 

Nga Beneta Dhima

Meri – një penë, një pupël dhe një thupër

 

Unë mund të jem ndoshta e fundit në panel për të sjellë një analizë të poezive të Merit, por duke qenë si një e dashuruar e përjetshme pas vargut, do kisha dëshirë të ndaja disa ndjesi me ju.

Meri shkruan prej vitesh, le të themi me fillesat e saj që në adoleshencë dhe, duke qenë se dhe vetë kam qenë pjesë e atyre nxënëseve, që mezi prisinim të vinim në mëngjes e t’i tregonim shoqes së ngushtë apo mësueses së letërsisë poezitë tona modeste, unë e di shumë mirë përjetimin e atij çasti kur shoqet të përgëzonin dhe mësuesja të komplimentonte e të inkurajonte për të shkruar akoma më shumë.

Ndoshta, nuk mund t’a them me bindje, se cila ishte shtysa e të shkruarit apo përzgjedhja e atyre minisubjekteve, por di të them, se tek Meri, ajo, gjente çdo gjë të zakonshme dhe të duhurën për të skalitur në vargje. Janë pikërisht ngjarje të vogla, të përditshme, që tek një shpirt i butë dhe i madh si i Merit marrin tjetër formë dhe përmasë. Meqë për poezitë e saj të para foli z. Bardhul, unë po ndalem tek vëllimi më i ri poetik i saj, shkruar në dy gjuhë, shqip dhe anglisht: “Fytyrat e kohës”.

Në këtë libër, me poezitë e saj, Meri e shfaq veten e saj ashtu siç është, e brishtë dhe rebele, e dashur dhe kokëfortë, mike dhe luftarake, motër, bijë, nënë, bashkëshorte…, kushdo nga ne do të gjente veten, të paktën, në një apo disa poezi të derdhura në libër, personalisht, e kam gjetur në pjesën më të madhe të tyre.

Dua të citoj një studiues të poezisë dhe mikun e Merit, z. Sali Bashota, të cilin kur e pyetën se cilat janë motivet që duhet të përshkruajnë një libër perfekt, ai me thjeshtësi iu përgjigj: Jeta, dashuria dhe vdekja! Padyshim që këto motive janë mëse të qarta në vargjet e Merit, por teksa kalon nga një proces në tjetrin, Meri lufton, përballet, përulet, ngrihet përsëri, rebelohet, pajtohet dhe në shumë raste bëhet e ftohtë, ironike, indiferente, si forma më e lartë e reflektimit ndaj një realiteti, që ti nuk mund të bësh më asgjë për ta ndryshuar.

Në poezitë e Merit, ajo që vura re që në fillim, që në vargjet e para, ishin trajtimi i tematikave shoqërore me nota realiste, me një sens kritik të fortë që të ftojnë të reflektosh. Teksa e lexon, ti shijon rimën e vargut, të duket sikur lexon hërë Naimin, herë Fishtën e herë vargun fshikullues të Nolit. Madje, ka poezi, që gati-gati më vinte t’i këndoja, aq melodioze është përzgjedhja dhe renditja e fjalëve, në dukje të thjeshta, por me shumë ngarkesë emocionale. Do t’i sugjeroja Merit që të bashkëpunonte me ndonjë kompozitor dhe kam bindjen e pakundërshtueshme që do të përftohen vërtet këngë të bukura me tekstet e saj.

Madje, kjo që do them është jashtë librit: duke parë mënyrën sesi Meri i përshkruan ndjenjat e veta, kam përshtypjen që Meri ka talent dhe në pikturë, aq e madhe është bota artisike brenda saj…

Në fund, dua ta lidh pak fjalën time me poezitë e tekstit në anglisht. Duke qenë se kam njohuri të mira në anglisht, pashë që, poezia në anglisht, vinte po me të njëjtën zhdërvjelltësi dhe natyralitet siç edhe në shqip, madje herë-herë më duket se ndonjë syresh ishte shkruar më parë në anglisht dhe pastaj ishte përkthyer. Kjo, besoj, vjen nga njohja e mirë që Meri ka me gjuhën frënge, gjë që ia lehtëson asaj hendekun e të menduarit apo të krijuarit në një gjuhë të dytë.

Në fakt, ndoshta të shkruarit në një gjuhë që është gati botërore, pra, anglishten, të bën sot, që ti si poet, të jesh më i arritshëm për lexuesit kudo anë e mbanë botës. Dihen tashmë prioritetet e të botuarit dhe të përhapjes së librit online, dhe më vjen mirë që Meri e ka përqafuar në mënyrë organike këtë risi.

Meri! Unë dua të të uroj që të mos reshtësh së shkruari, të kesh parasysh ato pak sugjerime që të dhashë në bisedat tona të këndshme paraprake, dhe duke të falënderuar që më bëre pjesë të këtij paneli miqësor, unë dua të recitoj një poezi tënden, e cila më pëlqeu veçanërisht.

 

KUR ËSHTË MJAFT

Thonë: “Mjaft.”

Sikur skena të kishte një radhë

për rolet që luan njeriu,

dhe ti e ke mbyllur aktin tënd.

Ti e di se mundesh.

Ti e di se je më e mirë se ata që ulen në fron,

por prap dera nuk hapet.

Çelësi rrotullohet nga brenda,

dhe dikush qesh në heshtje.

Rrugët e karrierës,

kthehen në korridore pa dalje.

Çdo trokitje rikthehet si jehonë,

që të thotë: Aaaa, ti jo.

Aftësia jote, rri ulur në një karrige bosh,

duke pritur thirrjen, që s’vjen kurrë.

Diku brenda teje,

një zë pëshpërit: mos u dorëzo.

Por lodhja është si deti natën

pa breg, pa dritë,

vetëm valë që të rikthejnë

në të njëjtin vend.

A ka fund ky “mjaft”?

Apo është vetëm një burg,

ku dera është e hapur,

por këmbët s’të çojnë askund.

 

Beneta Dhima,

Biblioteka Publike “Qemal Baholli”

Elbasan, e enjte, datë: 16 tetor 2025, ora 17.oo

 

 

 

 

 

 

 

[1] Meri Myftari: Mos i thuaj lamtumirë botës, Botimet M&B, Tiranë 2025, f. 10.

Leave a Reply