Klubi i Leximit – Biblioteka – Pasditja e Autorëve Elbasanas, tre subjekte këto që u bënë bashkë si një domosdoshmëri për të promovuar autorët dhe krijimtarinë lokale në mjedisin kulturor të qytetit dhe për t’ua sjellë atë më pranë të rinjve. Nxitur nga ideja e znj. Silva Belegu, Përgjegjësja e Sektorit të Trashëgimisë Kulturore pranë Drejtorisë së Politikave të Turizmit dhe Trashëgimisë Kulturore, Bashkia Elbasan dhe mbështetur nga biblioteka, u zgjodh pikërisht Klubi i Leximit, si instrumenti i duhur për të sjellë më pranë komunitetit e sidomos tek të rinjtë, autorët elbasanas. Meqë takimet e Klubit do të ishin përgjatë muajve të verës, u mendua që autorët e përzgjedhur të ishin ata të lindur në këtë periudhë, duke i konsideruar kështu takimet si një kartolinë urimi e përkujtimi për ta. Rasti solli që autorët e ftuar t’i përkisnin profileve të ndryshme krijuese dhe kjo e bëri shumë të larmishme tematikën e çdo takimi të Klubit. Autorët protagonistë ishin:
- Flutura Açka, romanciere bashkëkohore;
- Astrit Bishqemi, autor dhe studiues i letërsisë për fëmijë;
- Musa Vyshka, poet dhe publicist;
- Mustafa Bodini, krijues i këngës popullore qytetare;
- Leksi i Vinit, mbledhës i traditave zakonore të Elbasanit.
Të gjitha takimet e Klubit të Leximit u transmetuan në podkastin “Shqipëria në zë” të gjimnazistit amicioz Antonio Lushi dhe secili prej tyre kishte të veçantën e vet. Flutura Açka duke e patur të pamundur të ishte e pranishme në takim, përshëndeti pjesëmarrësit me një videomesazh të ngrohtë. Anëtarët e Klubit sollën përjetimet e tyre mbi prozën dhe poezinë e saj, duke theksuar fjalorin e pasur, rrjedhshmërinë, vërtetësinë dhe forcën shpirtërore që karakterizon krijimtarinë e autores. Pasditja për Musa Vyshkën u shoqërua me diskutime të thelluara për veprën e publicistit dhe poetit, duke nxjerrë në pah ndjeshmërinë artistike dhe përkushtimin karrierës së tij. Familjarëve iu dorëzua një bibliografi e plotë e shkrimeve dhe titujve librave të tij që gjenden në fondin e bibliotekës. Muaji korrik iu kushtua Astrit Bishqemit, këtij autori të mirënjohur të letërsisë për fëmijë. U organizuan dy takime: njëri me fëmijët, të cilët gjallëruan pasditen me interpretimet e tyre, dhe tjetri me miqtë dhe familjarët e tij, të cilëve iu dha një certifikatë mirënjohjeje me motivacionin: “Për kontributin e vyer, me të cilin u bë zë i dashurisë për dijen, fëmijët dhe qytetin.” Një ndër takimet më të suksesshme për nga pjesëmarrja dhe jehona ishte ai për Mustafa Bodinin, takim i cili i tejkaloi dhe ambjentet e bibliotekës dhe tipologjinë e pjesëmarrësve pasi pjesa më e madhe aty ishin jo vetëm lexues por dhe përfaqsues të artit elbasanas në disiplina të ndryshme. Diskutimet e të pranishmëve u përqendruan te talenti i Bodinit në krijimin e këngëve popullore qytetare dhe vlera e teksteve të tij, që ruajnë një elbasanishte të pastër. Pasditja e fundit iu kushtua Leksit të Vinit, këtij mbledhësi të traditave zakonore, ku u theksua rëndësia e ruajtjes së trashëgimisë shpirtërore dhe përçimi i saj nga brezi në brez.
Gjatë zhvillimit të pasditeve u vu re pjesëmarrja e lexuesve të moshave të ndryshme, të cilët dëshmuan se dinë të jenë jo vetëm lexues të mirë, por edhe rrëfimtarë të mirë. Nga ana tjetër, autorët elbasanas, me kontributet e tyre në të gjitha gjinitë, përbëjnë shtratin përmbajtësor të letërsisë kombëtare, duke qenë një burim i pashtershëm frymëzimi. Pavarësisht zhvillimit të teknologjisë, libri do të mbetet instrumenti më i çmuar në përvetësimin e dijes dhe në kalimin cilësor të kohës së lirë. Bibliotekat, me misionin e tyre për ruajtjen dhe transmetimin e trashëgimisë së shkruar, mbeten institucione të pazëvendësueshme të kulturës në vend.
Në fund mund të themi se kjo nismë, që filloi si një mënyrë për të nderuar autorët elbasanas, ka potencialin të shndërrohet në një platformë të qëndrueshme ndërveprimi kulturor për qytetin. Biblioteka, Klubi i Leximit dhe lexuesit e pasionuar krijojnë hapësira ku fjala e shkruar jo vetëm lexohet, por edhe dëgjohet, ndahet, reflektohet dhe vlerësohet.
https://www.facebook.com/share/p/16mY6VkZMb/
https://www.facebook.com/share/p/1AJZyMoyJH/
https://www.facebook.com/share/p/17R8HE6LXx/
https://www.facebook.com/share/p/1Fn3Pm8xtq/
https://www.facebook.com/share/p/1C12wM2iEb/
