Skip to content Skip to footer

Dhimitër Shuteriqi në Elbasan

Në Ditën Ndërkombëtare të Librit dhe të Drejtës së Autorit, biblioteka organizoi promovimin e librit “Fletë nga jeta ime” i autorit Dhimitër Shuteriqi, zgjedhur jo rastësisht në këtë ditë feste për botën e letrave dhe shkrimit. Si rrallëherë salla u mbush plot me dashamirës të librit, elbasanas dhe pinjollë të familjeve më në zë në qytet, të cilët të gjithë padyshim kishin diçka për të thënë e dëgjuar në këtë takim, ku u fol veçanërisht për kujtimet e Shuteriqit gjatë viteve të qëndrimit në Elbasan. Ky libër kujtimesh, shkruar në mënyrë brilante nga akademiku elbasanas, solli në një panoramë të vërtetë vende, ngjarje, njerëz dhe histori reale të Elbasanit të viteve ‘30-’40 të shekullit të kaluar. Drejtueset në panel sollën në vëmendjen e të pranishmëve nëpërmjet një analize konkrete toponime të hershme, personazhe realë, familje të mëdha të qytetit dhe ngjarje që kanë lënë shenjë në kujtesën historike të elbasanasve dhe më gjerë. Nderuan në këtë takim me pjesëmarrjen e tyre kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja, kryetarja e Qarkut znj. Mira Urupi, pedagogë dhe intelektualë të Elbasanit, emri i familjeve të të cilëve përmendet në libër. Një vlerë e shtuar në këtë takim ishte dhe prania e dy vajzave të profesor Dhimitrit, zonjat Ermira dhe Zana, të cilat në fund të takimit përshëndetën dhe falënderuan me mirënjohje drejtuesen dhe stafin e bibliotekës për këtë takim dhe qytetin e Elbasanit që nuk i harron asnjëherë bijtë e tij; ata të cilët kanë punuar fort për arsimin, shkencën, gjuhën, kulturën dhe çështjen kombëtare.

Leave a Reply