Në sallën e bibliotekës, të tejmbushur si asnjëherë tjetër me intelektualë, pedagogë, njerëz të kulturës dhe artit në qytet, ish-normalistë, dashamirës të librit etj, u promovua libri më i fundit biografik i studiuesit Eduart Hoxholli. Profesor Abdyl Kajanaku ishte këtë herë personaliteti të cilin autori e kishte sjellë në të gjitha dimensionet e tij; personale, familjare, intelektuale, pedagogjike, atdhetare etj. Profesor Kajanaku është arsimtari dhe pedagogu i cili ka lënë gjurmë dhe ka hedhur themele të sistemit arsimor në Normalen e Elbasanit, në praktikat dhe kurrrikulat mësimore, në trajnimet e arsimtarëve të rinj etj.; kontributi dhe rëndësia e punës së tij i kalon kufijtë gjeografikë. Të pranishmit në takim sollën dhe përjetuan emocione teksa e rikujtonin profesor Abdylin, si njeri me vizion të gjerë e mendje hapur, si “mësuesi i çdo kohe, si mësuesi që i bëri mësues”. Në këtë takim, dr. Migena Kapllani kishte përgatitur një analizë të detajuar të librit, ku njëherazi evidentonte dhe penën mjeshtërore të autorit, z. Hoxholli, i cili sillte në libër detaje të imtësishme jo vetëm për Abdylin dhe punën e tij, por edhe për Elbasanin dhe elbasanasit e viteve kur jetoi prof. Kajanaku. Për autorin ky është libri i katërt i natyrës së biografisë së letrarizuar, gjë që e bën leximin e librit argëtues, interesant e aspak të mërzitshëm e përsëritës. Në fund të takimit, i biri, Fatjoni, dhuroi një kopje të librit për të gjithë të pranishmit. I urojmë autorit jetë të gjatë dhe e mirëpresim në biografi të tjera interesante dhe me vlerë për qytetin.
Më poshtë mund të lexoni fjalën e studiueses Dr. Migena Kapllani për librin si dhe të specialistes së bibliotekës MA. Beneta Dhima për autorin.
Abdyl Kajanaku, mësuesi i çdo kohe
Mësuesia thuhet shpesh se është një profesion i nderuar, por një mësues, për ta merituar vërtet atë titull duhet të presë kohën t’ia vërë çmimin. Fëmija, në ato fillime që botën e sheh në rrethin e ngushtë, e do mësuesin e tij, por kur ai e do edhe pas të 30-ave, atëherë ky mësues e ka bërë si duhet atë punë. Të japësh dije nuk është e njëjtë me të shesësh dije.
Kjo më bën për vete kur duhet të flas për mësues si Abdyl Kajanaku si “një njeri i pabzanë” që i shërbeu jetës me dashuri si “lis qëndrestarë, degëprerë”, siç e quan autori në parathënie.
Takimi i sotëm është i dyfishtë; për të promovuar nga njëra anë vlerën e prof. Kajanakut e nga ana tjetër punën e vyer të autorit z. Hoxholli.
Vlerën e autorit do ta nis me citimin që përdor që në kreun e parë ku i drejtohet njerëzve me fjalët “O njerëz! Ruani dhe kujtoni njerëzit e mëdhenj të mendjes, se përmes tyre do të jetë e mundur që t’ju njohë e t’ju vlerësoje e ardhmja… Në fillim të shekullit të njëzetë, kur në Elbasan e në gjithë Shqipërine po niste agimi i qytetarisë dhe i lirisë, meteorë të rinj po ndrisnin universit të vlerave.” (f. 53). Dhe e nis me këtë vlerësim për njerëz si prof. Kajanaku që “mëtonin” zgjimin e vendit, duke marrë në konsideratë kohën kur jetuan, e mbarsur me injorancën shekullore.
Kur flasim për Elbasanin, si vendin e arsimit, informacioni është një burim ushqyes për brezin e ri që e dëgjon si fjalë, por nuk i njeh me detaje faktet historike që në këtë libër numërohen. Autori i librit paralelisht me jetën e prof. Kajanakut, ndalet te vitaliteti në fushën e arsimit si për ta thënë se asgjë nuk vjen nga asgjëja. Nismëtar në shumë drejtime qe qyteti i Elbasanit: alfabeti i Todrit hyri në që vitin 1795 në letërkëmbimin e tregtarëve; përkthimi i ungjillit nga Kristoforidhi më 1872; e para abetare 1867; e para gramatikë 1882. Elbasani qyteti i poetëve që më 1662 përshkruhet në libër si një qytet elitar e plot vlera. Përballë tyre autori vë në dukje egërsinë e kohës së viteve të fundit që nuk kursyen as sheshin e selvive për ta groposur në beton e hekura.
A e dinin historinë e atyre selvive që frymëzuan austriakun e famshëm Ludvig Hersheimen ata që i rrafshuan? Ca më keq nëse edhe e njihnin atë vend të paqtë e të bukur ku kaloi fëmijërinë Abdyl Kajanaku. Rruga e këtij profesori do të ishte e shtruar më parë në rrugën e arsimit dhe dëshira e ndezur e prindërve të Kajanakut për ta shkolluar te Normalja do ishte për djaloshin një ëndërr e ndritur në një mjedis të begatë plot vlera intelektuale dhe përpjekje për zhvillim si një dëshmi e shkëlqyer historike.
Abdyl Kajanaku lindi më 9 tetor 1908 në një shtëpi të bukur dollmallie elbasanase. Në moshën 12-vjeçare do të humbiste babain, por do të rritej në sytë e nënës së tij e me mbështetjen e xhaxhait.
Në shkollën plotore do të dallonte për zellin e vullnetin e tij. Emrat dhe figurat e shquara të qytetit të Elbasanit kanë qenë pjesë e formimit të tij si në teatër, këngë, lexim e do të vijojë të shkëlqejë në studime në shkollën Plotore deri në klasën e gjashtë. Njeh deri në këtë moshë frëngjishten dhe shumë fjalë nga arabishtja. Më pas vijon shkollën ushtrimore ku Abdyl Kajanaku 15-vjeçar u përgatit për të hyrë në Normale. E nisi mësuesinë me një udhërrëfyes të madh si Aleksandër Xhuvanin. Është për t’u theksuar se aso kohe figura e mësuesit identifikohet me emra të mëdhenj që sot i kemi të gjithë pjesë të historisë sonë: Xhuvani, Harri, Shuteriqi, Peci, Paparisto, Ceka si apostuj të shqiptarizmës e shkollës shqipe. Qe nxënës i Vasil Andonit, Kristaq Cipos, Anton Dedës, Dhimitër Paparistos, Ahmet Gashit etj. Në këtë libër ka aq emra të mëdhenj të qytetit tonë, sa me gjithë sakrificat e vështirësitë e kohës dhe të sistemit, të vjen zili për atë kohë e për jetën mes atyre njerëzve. Nëse Mahir Domi, Sulë Domi apo shumë e shumë të tjerë janë figura historike për ne, për familjen Kajanaku janë pjesë e jetës së tyre. Të vjen tmerrësisht keq për tërë atë brez intelektualësh e tregtarësh të shkolluar në shkollat e perëndimit të jetonin me frikën e sistemit, të burgoseshin apo të punonin “me gjuhën e prerë” f. 104).
Pas 4 vitesh studime në Normale, në vitin 1928 fillon punën si mësues në Durrës duke plotësuar amanetit e të atit dhe të nënës. Si mësues i dalë nga Normalja ai shquhet për edukimin e qartë atdhetar.
Ja si e përshkruan autori Abdyl Kajanakun: “Zotërues i klasës, impresionues, i qetë, i thjeshtë, i qartë, dashamirës, i drejtë, tolerant, i durueshëm e i apasionuar pas mësimdhënies, ai ndërton me nxënësit marrëdhënie respekti, duke merituar mirënjohjen e nxënësve dhe mësuesve durrsakë. Së bashku me normalistët e tjerë, ai bëhet protagonist i një epoke të re për shkollën dhe arsimin shqiptar. Kjo punë e palodhur, me pasion dhe e suksesshme e dalloi dhe në vitin 1931, kështu që emërohet drejtues i arsimit të Durrësit.” (f. 77).
Gjithnjë modest e kokëulur si një apostull i palodhur (cit. f. 80) për ardhmërinë e shkollës e të kombit, krijues e zhvillues origjinal, ai do të niste përmbushjen e ëndrrës së tij: të studionte në një nga universitetet me famë botërore. 27 vjeçar, Abdyl Kajanaku skalit emrin e tij në regjistrin shtetëror të arsimtarëve. Së bashku me Sotir Papariston, Skënder Sejdinin, Mehmet Ganin u jepet e drejta të studiojnë në universitetin “Zhan Zhak Ruso” në Gjenevë në vitin 1935 për shkenca pedagogjike e psikologjike (f. 81). U shqua për rezultate të larta e ide përparimtare; binte në sy për fizikun, edukatën e kulturën e tij. Në atdhe kthehet me bindjen e një misionari patriot me vizione të qarta të një intelektuali fisnik, të përndritjes së ndërgjegjes kombëtare e për prosperitet shoqëror (f. 85).
Abdyl Kajanaku vjen në atdhe me një formim të shkëlqyer si student i Zhan Piazhesë i cili do ta udhëheqë tërë punën e tij studimore në mbarim të studimeve universitare në Gjenevë (f. 67), formim që do të ketë ndikim në tërë jetën e tij si mësues, atdhetar e njeri me vlera.
Vitet ‘39-‘41 pas studimeve universitare të Gjenevës, do të trajtonte problemet e edukimit të fëmijëve duke u marrë aso kohe me probleme delikate të psikologjisë që askush nuk ishte marrë më parë. Vitet e pushtimit, si njohës i psikologjisë i kalon me heshtjen durimtare, si sekreti i triumfit jetësor (f. 85), por gjithmonë i gatshëm e me përkushtim për t’i dhënë arsimit dhe shkollës shqiptare dimensionet progresive dhe vizionet europiane (f. 86). Rrugëtimi i tij do të ishte gjithmonë përbri njerëzve të mëdhenj të letrave si: A. Xhuvani e Kolë Kamsi, E. Koliqi, Mustafa Gërblleshi, Xhevat Kortsha etj.
Pas punëve me përgjegjësi në Tiranë e Gjirokastër, viti ‘43 do ta gjejë në vendlindje për të dhënë mësim te Normalja me një shkëputje prej një viti në Tetovë si ndihmë e mësimdhënies në trevat shqiptare e për t’u rikthyer sërish në vitin ‘44.
Pas vendosjes së regjimit komunist punoi në Korçë, Shkodër për disa vite e vetëm në moshën 52 vjeçare, pas një kalvari 32-vjeçar i jepet emërimi në vendlindje, në shkollën pedagogjike, Normalen e tij, bashkë me profesorë të nderuar si: Shyqyri Demiri, Besim Qorri, Sotir Paparisto etj.
I survejuar në vitet ‘60, ndërpret botimet apo punimet për përvojën e shkollave evropiane. Kurrë s’u implikua e s’u bë pjesëtar në formacionet politike, ndonëse jetoi e punoi në disa qeveri.
Në moshën 56 vjeçare dhe pse e kishte mbushur moshën e pensionit, vijonte të jepte mësim në pedagogjike, ILP dhe Onufri. Vetëm në moshën 67-vjeçare, pas 47 viteve punë do të ndahet prej saj (f. 100). Që 20 vjeç e deri në fund të jetës (1979) Abdyl Kajanaku e unifikoi veten me arsimin dhe dijen.
Në vitin 1980 do të nderohej me titullin “Mësues i merituar” pas 36 vjetësh e me tituj të tjerë si nderim i punës dhe kontributit të tij në arsim, edukim, psikologji e pedagogji, por edhe për marrëdhëniet njerëzore, njëri prej të cilëve na ka mbledhur këtu sot.
Ky libër ka një gjë të veçantë, është shkruar me shumë dashuri e me një gjuhë të derdhur plot simbole, shenja, enumeracione që tregojnë vëmendjen e autorit ndaj çdo detaji për ta identifikuar qytetin e Elbasanit, familjen elbasanase sa më mirë e me sa më shumë të dhëna e sa më afër vlerave të familjes, shoqërisë, besimit, arsimimit që vendi aso kohe i ruante me fanatizëm e i kultivonte.
Për këtë ka meritën kryesore autori i monografisë që ka bërë një punë për t’u vlerësuar për kërkimet e thelluara rreth qytetit, historikut të tij, arsimit e histokut gjithashtu, emrave që i kanë kushtuar jetën këtij qyteti, por dhe gjithë vendit. Nga kjo paralele historike, ne arrijmë të kuptojmë që njerëzit bëjnë kohën, por ata më pas prodhojnë njerëz të mëdhenj në vijim. Për prof. Kajanakun, 80-vjeçarët e sotëm e kujtojnë si mësuesin e çdo kohe, mësuesi që bëri mësues (f. 80).
Dr. Migena Kapllani, Elbasan, 10 mars 2025
Eduart Hoxholli, mësuesi modest e zemërmadh
Në krijimtarinë e tij gati 20 vjeçare, preferoj ta quaj mësuesi mëndjendritur e me shpirtin e madh, Eduart Hoxholli, ka lënë gjurmë të thella sidomos në shkrimin biografik për figura të spikatura të kulturës dhe arsimit elbasanas.
Nën moton e tij “T’i vlerësojmë sot, që e nesërmja mos t’i harrojë”, Hoxholli na ka lënë trashëgimi (kombëtare do të thoja) biografitë më të plota e të bukura për tri ikonat e këngës qytetare elbasanase, Myzyrin, Bodinin dhe Leksi Vinin. Të gjithë ne, padiskutim, në gëzimet tona famljare i kemi kënduar apo mërmëritur (me aq tekst sa kemi ditur) këngët e tyre, të shkruara prej tyre në copa letre, fletore të zhubrosura, apo të pashkruara fare sepse përnjeherë janë ngulitur në kujtesën, zemrën dhe gojën e popullit. Madje, ndonjëherë nuk dihej ose ngatërrohej autorësia pasi quheshin thjesht “Këngë Elbasani”. Pakkush nga ne, dinte jetët e tyre të trazuara apo njihte dhe dhjetëra e qindra vargje gati-gati të harruara.
Ajo që bëri Eduarti, me këmbënguljen dhe dëshirën e tij të madhe për nxjerrjen në dritë të realiteteve gati paralele e të panjohura, ishte pikërisht monumentalizimi i jetës dhe krijimeve të këtyre tri pionereve të këngës popullore qytetare në libra, duke e plotësuar më së miri figurën e tyre artistike dhe personale e që tashmë janë pjesë e memorjes kolektive. Për këtë, ne i jemi thellësisht mirënjohës Eduartit, pasi deri më sot askush nuk e ka arritur apo tejkaluar punën e tij, sado modeste të duket ajo në pamje dhe formë.
Natyrisht, pjesë e krijimtarisë së tij janë dhe botime me karakter didaktik që tregojnë për formimin e tij intelektual dhe dëshirën për të përhapur dije dhe njohuri.
Biografia e tij e fundit është pikërisht për atë që ne jemi mbledhur sot, për profesor Kajanakun, të cilin ai, ndër të tjera e quan “misionarin intelektual të shkollës dhe qytetarisë elbasanase”.
Përsonalisht, dhe në emër të gjithë stafit të bibliotekës si dhe me lejen e të gjithë të pranishmëve, dua ta falënderoj nga zemra mësues Eduartin për këto xhevahire që i ka lënë trashëgim bibliotekës dhe qytetit. Ju uroj shëndet, jetë të gjatë dhe… jemi në pritje të një biografie tjetër prej jush.
Mbyllje: Për kënaqësinë tuaj, në mbyllje dua të citoj autorin pasi janë fjalë me vlerë e të çdokohshme: “Elbasani, djepi i arsimit kombëtar, qyteti i madhështisë modeste, i patriotizmit, traditës e tolerancës, qytet i lashtësisë, i harmonisë dhe bujarisë fisnike, qytet i mësuesve dhe akademikëve, qytet i lirisë dhe i prosperitetit, ka nevojë për simbole e vlera të tilla si prof Abdyl Kajanaku.
Vlera më e çmuar e këtij libri është ndërmendja, kujtesa dhe nderimi. Në këtë kohë ndryshimtare na duhen dhe do të na nevojiten modele njerëzore, modele mësuesish, modele modestie, modele përkushtimi për shkollën, modele dashurie për jetën dhe qytetin, ku jemi lindur, rritur e jetojmë, pse jo edhe marrim emër”.
I ndrittë pena Eduartit për këtë trashëgim që i la qytetit dhe i paharruar qoftë kujtimi dhe vepra e prof. Abdyl Kajanakut.
Ju faleminderit të gjithëve për pjesëmarrjen.
Beneta Dhima, Elbasan, 10.03.2025
