Në Bibliotekën e fëmijëve, u organizua sot takimi për të njohur krijimtarinë e autorit Atë Stavri Çipi. Të pranishëm ishin nxënës nga klasat e treta dhe të pesta të shkollës 9-vjeçare “Fadil Gurmani”, të cilët nën kujdesin e mësueseve Liljana dhe Griselda, kishin përgatitur dhe recituan disa poezi të autorit. Në takim, përshëndeti me fjalën e saj ish-drejtuesja e bibliotekës, znj. Hatellari, e cila, duke përgëzuar autorin për krijimet e tij, ftoi nxënësit të lexojnë sa më shumë libra për moshën e tyre, pasi libri është dhe do mbetet miku më i mirë i njeriut, si në fitimin e dijeve ashtu edhe në formësimin e tij shpirtëror e intelektual. Në fjalën e tij, autori, me thjeshtësinë dhe përulësinë që e karakterizon, rrëfeu për shtysën e tij në të shkruar, dhe inkurajoi fëmijët që të lexojnë çdo ditë dhe vazhdimisht, si një mënyrë për të ndriçuar mëndjen dhe shpirtin. Me nje shtrirje kohore mbi 20-vjeçare, krijimtaria e Atë Stavrit, kryesisht në vargje, është sa e bukur edhe aktuale. Edhe pse poezitë e tij janë të thjeshta në dukje, ato përcjellin mesazhe të forta, prekin tematika të ndryshme si dhe shërbejnë për të kultivuar ndjenja të dlira, empati dhe ndjeshmëri ndaj tipareve njerëzore si: atdhedashuria, dashuria për gjuhën amtare, natyrën, për prindët, familjen dhe vetë jetën. Libri më i fundit i Atë Stavrit, i cili dhe u paraqit përpara fëmijëve, është një përmbledhje përrallash, të cilat autori i ka shkruar si dhuratë për nipin e tij, në 1 – vjetorin e lindjes dhe që nga sot bëhen pjesë e fondit të bibliotekës së fëmijëve, bashkë me tituj të tjerë, të cilët i dhuroi në përfundim të takimit. I urojmë Atë Stavrit jetë të gjatë e krijimtari të begatë.
#femijetlexojne
#autoreelbasanas
#qendrakulturoreefemijeve
#bibliotekapublikeelbasan
