U promovua në sallën e bibliotekës libri më i fundit i autorit dhe përkthyesit Durim Taci. Sjellë me një titull lakonik “Lakimi”, libri të rrëmben që në paragrafët e parë të tij dhe të mban mbërthyer deri në fund, duke i dhënë mundësinë lexuesit që brenda një jave histori të trilluar nga autori, të jetojë njëherazi 5000 vjet histori njerëzore. Ky roman, u shpreh autori, shënon një kthesë në krijimtarinë e tij, pasi vjen ndryshe si në formë dhe përmbajtje. Libri, i cili pati sukses në panairin e librit që sapo u mbyll në Tiranë, ngjalli interes tek të pranishmit në sallë, të cilët nëpërmjet pyetjeve të përgatitura nga Marsela Neni për autorin zbuluan detaje të mënyrës së shkrimit dhe subjektit të tij. Së shpejti, ky libër do të botohet dhe në gjuhën italiane. Në fund autori dhuroi disa kopje të librit për lexuesit e bibliotekës. Falënderojmë autorin, të pranishmit në sallë për pjesëmarrjen si dhe i urojmë rrugëtim të mbarë librit.
