Në rubrikën Elbasani në shkrim dhe në shpirt sjellim sot një nga lexuesit më të vjetër dhe të përkushtuar të bibliotekës, intelektualin e dhënë pas kulturës dhe artit, ish-arsimtarin Petrit Hidri. Me një eksperiencë pune 40-vjeçare, ku vitet më të shumta i kaloi në arsim, jo pak më të rëndësishme për të janë ato të kaluara si metodist në Shtëpinë e Kulturës në Elbasan dhe ato si drejtues i Shtëpisë së Kulturës Funar. Përvoja e tij në sektorin e kulturës, dallon veçanërisht për vëmendjen që ai kishte për ngritjen dhe pasurimin e vazhdueshëm të bibliotekave dhe muzeve nëpër fshatra, sado modeste ishin ato. Natyrisht, puna më e madhe e tij ishte ngritja e grupeve amatore dhe organizimi i shfaqjeve artistike nëpër shtëpi e vatra kulture por edhe më gjerë. Petriti, në objeksionin e tij kishte ngritjen dhe konsolidimin e një arkive mirëfilli të folklorit të zonës së Funarit dhe për këtë, me bashkëpunëtorët e tij, kërkoi fshat më fshat e shtëpi më shtëpi për të mbushur dosjet me këngë, gojëdhëna, dëshmi, rrëfenja e kostume të mrekullueshme të zonës. Ky vokacion i vinte natyrshëm, pasi Petriti, jo vetëm që ishte vetë i lindur në atë zonë, por përditë e më shumë ndjente se bukuritë e saj, trashëgimia e saj kulturore dhe materiale duhej të konservohej për t’ju transmetuar brezave si vlerë jo vetëm lokale, po edhe si pjesë e asaj kombëtare. Funari, i cili deri vonë në gojën e elbasanasve të vjetër lakohej si Gryka e Zaranikës, është zgjatim i pasurisë natyrore, kulturore e folkloristike të qytetit të Elbasanit dhe bashkëjeton organikisht me të. Siç shprehet Petriti në librat e tij, “në Funar e më gjerë këndohen këngët e Myzyrit, Leksit të Vinit dhe Bodinit po me të njëjtin origjinalitet si në qytet dhe deri vonë ato kanë qenë pjesa qendrore dhe më e rëndësishme e gëzimeve apo dasmave në Grykën e Zaranikës”. Në studimet e tij, Petriti shkruan se Funari dhe fshatrat përreth kanë një histori të pasur dhe gjurmë që datojnë deri në lashtësi dhe këtë ai e thotë me bindje, bazuar në zbulimet e bëra në zonë. Teksa shfleton librat e Petritit apo bisedon me të, ndjen dëshpërimin që ai ka për zbehjen e këtyre traditave që përcaktojnë identitetin dhe individualitetin tonë dhe aq më keq akoma për humbjen, djegien apo shpërdorimin e materialeve dhe arkivave të pasura që kanë patur qendrat kulturore e që sot do të ishin dëshmi reale e gjithë atyre veprimtarive të papërsëritshmë të kohës, ku u aktivizuan dhjetra e qindra amatorë, specialistë e intelektualë. Menjëherë pas daljes në pension, teksa po shihte se dalëngadalë po largoheshin nga jeta dhe rrëfimtarët e ruajtësit e fundit të trashëgimisë gojore, Petriti e pa të domosdoshme ridokumentimin e folklorit të zonës, produkt i së cilës erdhën dy monografi, të cilat ndonëse mund të duken si rikrijim imagjinar, ato janë, padyshim, pashaporta që mban vulën e gurrës popullore të Funarit dhe fshtatrat rreth tij. Përveçse të hedhura në libër, këtë pasuri folklorike, Petriti i publikon herë pas herë dhe në profilin e tij në Facebook, për të cilin duhet të themi se është shumë aktiv, ku me një gjuhë të rrjedhshme e të thjeshtë ai shkruan dhe ngjarje nga përditshmëria që e shqetësojnë dhe që për të janë problemet e thella që vuan shoqëria sot. Ne Petritin e takojmë përditë në bibliotekë; ai i ka vënë vetes një regjim strikt prej disa vitesh tashmë, ku pas kafes së mëngjesit kalon 2-3 orë në bibliotekë. Aty ai shfleton shtypin e ditës dhe letërsi kryesisht të klasikëve, të cilët i rilexon pasi kërkon të rikujtojë detaje që i kanë ngelur në kujtesë nga leximet e rinisë. I vëmendshëm është dhe ndaj autorëve të rinj apo dhe autorëve të huaj dikur të panjohur për lexuesin shqiptar e të sjellë së fundmi në shqip. Si mik të bibliotekës, Petritin e kemi ndjekës fanatik të gati çdo aktiviteti që organizon biblioteka, ku gjithmonë është aktiv dhe vizionar me sugjerimet e tij. Anëtar i bibliotekës që kur ishte vetëm 11 vjeç, Petriti nuk u shkëput më nga librat e leximi edhe sot e kësaj dite. Siç e thotë edhe vetë: “… për të biblioteka është streha ku për herë të parë vuri këmbën në vjeshtën e vitit 1960 dhe nuk iu nda më gjithë jetës.” Biblioteka është një shtëpi e dytë për të dhe për ne, Petriti, është miku i parë i saj dhe të tillë e dëshirojmë ta kemi sa më gjatë mes nesh.
