Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Mendime të vogëla

Disa këshilla një djalit në Misir
qi dëshiron të botojë një gazetë shqipe

I dashur mik,
Në e bëfsh gazetën me fleta të mbëdha, Shqipëtarët do të thonë se s’mpshihet dot lehtë; në e bëfsh me fleta të vogëla, do të thonë se s’është gazetë, po libër. Në e shtypësh me letra të holla, do të thonë se s’këndohen edhe prishin sytë; në e shtypësh me letra të trasha, do të thonë se je “hamall’ e kërkon të mbushësh vënt. Në shkrofsh toskërisht, do të thonë se s’është gazetë për të gjithë Shqipëtarët; në shkrofsh gegnisht, prap’ ashtu; në shkrofsh një gjuhë të përzjerë me të dyja, do të thonë se s’di shqip; në shkrofsh gjysmën gegnisht, gjysmën tokërisht, do të thonë se është “çervish”. Në mos shkrofsh për politikë, do të thonë se s’është koha të punojmë për letrëturë kur vendi ndodhet në rrezik; në shkrofsh për politikë, do të thonë se prish punë duke egërsuar qeverinë. Në folsh butë për Turqinë, je i paguar prej Sulltanit; në shkrofsh rrept kundrrë Turqisë, kërkon të të japë Sulltani të holla që t’a pushosh gazetën. Në mos gjefsh të holla që t’a mbash gazetën, do të thonë se s’je i zoti, me qënë që aqë njerëz duan zgjimin e kombit shqipëtar; në gjefsh të holla, je intrigan a i shitur. Në folsh për plot çlirimin e Shqipërisë, do të thonë je djalë e kërkon gjëra qi duheshin gatitur një qint vjet më parë; në folsh për nevojën të përpiqemi t’a shpëtojmë gjuhën edhe kombësinë t’onë duke vënë vëndin nënë hie të një Fuqisë së madhe, s’qenke Shqipëtar i vërtetë. Në folsh mirë për Shqipëtarët të krishterë, hidhërohen Shqipëtarët muhamedanë; në folsh mirë për muhamedanët, hidhërohen të krishterët; në folsh mirë për të krishterët e për muhamedanët qi janë Shqipëtarë të mirë, e liksh për të ligët, ahere do të hidhërohen të gjithë. Aqë për sot, se kam frikë mos të zërë gjumi.

– Faik Konica-

“Albania”, 15 shtator 1901

Leave a Reply