Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Asdreni sipas Lasgushit

#Sisot, në 11 prill 1872, lindi poeti, publicisti dhe veprimtari i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, Aleksadër Stavre Drenova. Poezia e tij, kishte të gjitha ngjyrat e atdheut të kohës së tij. Ai ishte flamurtari i madh i çështjes kombëtare, zëri i masës së robëruar e të shtypur, poeti i brishtë i dashurisë dhe brengës. Me poezitë e tij, ai e pasuroi në mënyrë të veçantë poezinë shqipe edhe në lëmin e formës, duke krijuar lloje të reja strofash e vargjesh, duke lëvruar madje edhe vargun e lirë, me një figuracion të pasur, duke shkrirë origjinalitetin në brendi dhe formë, me thjeshtësinë. Poetit i njihet merita që, poezinë tonë, e lidhi me atë bashkohore evropiane. Vjersha e tij “Betimi mbi flamur” (1907) pas vitit 1912 u bë dhe është Himni ynë Kombëtar.
Lasgush Poradeci e ka njohur nga afër Asdrenin kur shkoi në Bukuresht për pikturë, por që nga takimi i parë miqësia e tyre mbeti e përjetshme. Në 60-vjetorin e Asdrenit, Lasgushi shkruan një letër përshëndetëse për të, duke ngritur në pjedestal krijimtarinë e tij e cila është në shërbim të çështjes kombëtare dhe duhet të shërbejë si frymëzim për brezat e rinj.
ASDRENI, NJË MANIFESTIM KOMBËTAR
Salut Homagjial, prej Lasgush Poradecit
Fort i Përnershëm Veteran,
Në ditën e bardhë të 11 Prillit 1932 mbushen gjashtëdhjet vjet, që kur se patë për së pari dritën e kësaj bote. Më këtë rast, një tog miqsh të vjetër dhe kolegësh të rinj, bashkëpunëtorë dhe pjesëmarrës në Veprën t’Uaj Kombëtare, u bashkuan spontanërisht për t’Ju prurë Homagjet e tyre të përzemërta.
Kur në 1904 shtyptë librin Reze Dielli, Manifestim Kombëtar për kujtimin e së pesë-qindtës vjetësije të lindjes së të Madhit Burrë e Mbret te Shqipërisë Gjergj Kastrioti, Ju e kishit shkruar Parathënien e atij zëri të bukur të lirisë që më 1903, dyke i dhuruar Atdheut, si çdo Shqiptar i cili dashuron gjuhën dhe Kombin e vet një varg të thurrur me lulet e atdhedashurisë s’Uaj së kulluar, një kanisk zemre; po më parë, në vitin 1900, kishit filluar bashkëpunimin patriotik në revistën Albania, dhe shumë më parë, në vitin 1895, kishit inaguruar artikullshkronjësinë tuaj propagandistike në gazetën Shqipëtari të Kryevetarinit Nikoll N. Naço-Korça, kur se në vitin 1892 kishit hyrë në më të vjetrën mësonjëtore shqipe, në shkollën Drita, të cilën i Madhi Kryeveteran Korçar e kish themeluar në Bukuresht me qëllim të pregatitë Apostuj për ndritjen e popullit shqiptar: duke u iniciuar kësisoj në misterin Kombëtar, pranonit vetëdijërisht një barrë sa të ëmbël aq plot përgjegjësi; sepse Apostullatën e pasonte, në rast tradhëtije, dënimi shëmbëllor me vdekje sipas nomit të shentë të besës shqiptare të parashikuar në statutet e asaj shkolle famë-ndritur. Besën e dhënë në 1892, Ju e mbajttë dhe e forcuat me një punë patriotike të urtë po të parreshtur dyzet vjet me rradhë, ndaj përveç vitit 1904 ku horizonti i mvrejtur i vetëdijes s’onë kombëtare vërreu me gëzim ato Rreze Djelli të imta që i dërgonte së largu e bardha zemra Juaj, botuat më 1912 Këngëtoren Ëndra e lote – kurorën më të sgjedhur të gjithë veprës s’Uaj poetike – dhe më 1930 volumin e ri vjersha Psallme Murgu. Artikuj të shumtë, të përndarë në këto tridhjet vjetët e fundit nër gazeta, revista dhe brushura të ndryshme, veçanërisht ata ku me thjeshtësinë që Ju karakterizon na rrëfeni, neve të rinjve (ah! dhe shumë të vjetërve), ngajën dhe përsenë dhe siesinë të Lëvizjes së Veteranërsë Shqiptare, kanë interesuar dhe edukuar brëndërisht shpirtin e çdo patrioti.
Lëçitësit e veprës s’Uaj vjershëtore mund të gjejnë, sipas mendimit ose paramendimit momentan, shumë virtuta ose shumë të meta mjeshtërore; çështje kjo shije… çështj estetikërie… Po që të gjithë, në fundin e fellë të vetëdijes së vet, atje ku fryn e rreh e vepron Fryma e Kombit, ndjejnë kurdoherë NJËMËNYRËSISHT, janë të bashkuar kudo me një NJOHJE kapitale: se QËNDRA e zemrës s’Uaj, midis Psallmeve të Murgut, rëndon në luftën LIRIPRURËSE të poemit Burri i Dheut:
N’atë gjëmë, luftë tmeri,
Ku s’luftonte pushk’ e shkretë,
Po qe shpirt’ i gjall’ i Kombit;
Shqipërija dora-vetë;
se QENDRA e zemrës s’Uaj, midis Ëndrave dhe Lotëve, rëndon në ATDHEDASHURINË e përzjarrshme të himnit Vlesa e Atdheut:
Sa të dua, Shqipëri!
Sa mall kam, e sa dëshitë
Për ty gas e dashuri
Drejt në zemër më ka mbirë!
Se QENDRA e zemrës s’Uaj, midis Rezeve të Djellit, rëndon në britmën e gjakosur të marshit të KRYENGRITJES Shqiptare, Ardhi Dita:
Ardhi koha, ardhi dita,
Iku nata, dolli drita;
Ngrihi, trima, mos duroni,
Vëndin t’uaj t’a shpëtoni;
Me gjith zemër e pa ndjesë
Bini qenit të pabesë!
Bëni-e! bëni-e sot Atdhenë
Siç qe nënë Skënderbenë!
I kënduar, në fillim, prej dhjetë… njëqind… njëmijë… paravajtës të Rilindjes s’onë Kombëtare, marshi Juaj tingëllon sot, ditë për dita, në veshët dhe në zemrat e njëzetepesëmijëve shkollarë shqiptarë, të cilët marrin edukimin – jo në mënyrën veteranërishte si një barrë sa të ëmbël aq plot përgjegjësi nër mësonjëtore shqipe të mërgimit të themeluara me vetëtheorinë e iniciativës private të një atdhedashurje së përvëluar, po nër shkolla zyrtare të Dherit të bukur të Shqipërisë, nër institute të përkujdesura prindërisht prej Shtetit bujar dhe zemërgjërë. Cilët, prej këtyrë njëzetepesëmijë të lumturve, që ngazëllohen me Këngën e tyre shkollore të përditëshme, dinë emrin e autorit të saj? Cili syresh e njeh Asdrenin, Aleks S. Drenovën? Lajm i hidhur! Shpërblim mosmirnjohës! Numur që përmblidhet nër pesë gishtrinj! Të gjithë marrin jetë prej Flakës që ndrin; asnjë s’kujton Zjarrin që pat djegur. Sepse Vjershëtori nuk rron jetën e vdekur të vet, por jetën e pavdekur të Kombit të vet.
Fort i Përnderuar Veteran,
Manifestimi Kombëtar i pathyer prej katër dhjetvjetorësh, freskija dhe dëshira Juaj për vepërim, janë një bindje gazmore se dhë paskëtaj do çquheni me punë dhe nder në ballin e Krerëve të Veterinarisë Shqptare, dyke forcuar gjer në fund vetëfytyrën e thjeshtë përunjësisht të ndërtuar prej të nënshkruarit, në emrin e miqve dhe kolegëve tuaj që Ju admirojnë:
Burrr’ i urt’ e i veçuar,
Shqipëtar me shpirt të qruar,
Vjershëtor vjershë-kënduar;
Pate shkruar e punuar
Shqipen per t’a shqipëruar
Kombin për t’a kombëzuar.
Marrë nga: “Vepra”, vol. 2, Publicistika. Lasgush Poradeci, f. 21-23.

Leave a Reply