Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Nesër… (nga Petro Marko)

Nesër…
– Nesër do të bëhem qytetar! Petkat i porosita. Kapellën e bleva, këpucët sot i marr. Kravatën mësova ta lidh bukur. Këmishë, çorape, bëhem gati të dalë në treg e t’i blej. Dhe nesër unë jam qytetar!…
– Do të thoni ju, se si do stërvitem të sillem si qytetarët! Shumë kollaj. Do të bëj ç’bëjnë të tjerët: ndero, ulu, ngrihu. Folë fjalë të mëdha, shumë të mëdha dhe të gjata sa tërkuza. Ditë për ditë te berberi, te llustrua, në kinema. Mbrëmjeve një shetitje të vogël. Të blej ndonjë gazetë të huaj dhe megjithëse s’di as shqip të këndoj e të shkruaj, s’ka gjë! Mjafton të mbaj në dorë ndonjë fletorë të huaj si qytetarët, për bukuri… Kur të më thonë ndonjë fjalë që s’e marr vesh, të bëhem i shurdhër. Kur të më tregojnë ndonjë send që s’e di, të bëhem qorr. Të bëj një lutje të mirë, të qëndisur, dhe ta shtyj me anën e ndonjë fuqie të shëndoshë në ndonjë zyrë, duke shkruar: “U bëra qytetar, prandaj dua një nëpunësi të mirë…” Dhe pastaj, kështu i kapardisur, të nisem për në ndonjë krahinë. Dhe atje, si qytetar i ndritur që do të jem, do të përpiqem me mish e me shpirt t’u shpie dritë katundarëve që kanë mbetur prapa. T’u tregoj rrugën e qytetërimit. Kanë nevojë për mua dhe për shokët e mi.
– Nesër jam qytetar. Nesër i hedh poshtë, djeg këto petkat e vjetëruara.
– Nesër bëhem njeri! Nesër, shpëtoj…
Dhe unë pas ‘tij le të shtoj:
– Që nesër ti fillon të bëhesh parazit.
– Merre o dreq, merre, këtë punën tonë!
Gazeta “Shtypi”, nr. 4, dt. 26 Prill 1937
– Petro Marko –

Leave a Reply