Ik nga bota plot andrralla,
Më beso mua çdo gjë,
Dhe në jetën do më falje,
S’do ta dijë kush këtë!
Eja që të bredhim bashkë
Nepër shteg e monopat,
Teksa zgjon pyjet e lashtë
Flladi i erës këtë natë!
Nëpër degë edhe fletë
Ndrijnë yjet plot magji,
Dhe askush në këtë jetë
Vesh s’ do mbajë ç’thua ti.
Të trazohet flok i butë,
Je e bukur dhe kështu.
Mos më zmbraps, kur zë të puth,
Nuk na sheh askush këtu!
Briri i dhembshur nis të bjerë
Që përtej me kaq trishtim,
Hëna zbret e shket pa u ndjerë
Mbi ahishten me gëzim.
Ngazëllohet pyll i blertë,
Fëshfërin, zë fryn ndër drure.
Hëna e kundron si fshehtë
Pamjen tënde me kaq nur.
Ti më druhesh kot së koti,
Kundërshton gjithë e më pak,
Shkrepin sytë prej gazi e loti,
Zjarri ballin ta përflak.
Ja, liqeni… Hënë e plotë
Duke ikur e praron,
Nën këtë dritë magjiplotë
Më i vetëm na ngjason.
Fërgëllon, ngre valë e shkumë,
Ndër kallama Ilokoçit,
Kur gjithçka pushon, fle gjumë,
Uji s’prehet e s’dremit.
Te vështron mes ngazëllimi
Në mes rrjedhash si kristal.
Po qesh ti a shëmbëllimi
Me kaq gaz e hir të rrallë?
Duken pllaja e kodrina
E harkohen nëpër zall.
Yjet ndrijnë me shkrepëtima
Nëpër qiell e nëpër valë.
Te deh pyllit erë e blirit,
Hije e freskët, kjo qeti.
Plot hare zemra mes gjirit
Rreh me mall e dashuri.
Nëpër mjegull hënë e qashtër
Po ndez ujë e po ndez ah,
Te shtrënguar të mbaj afer,
Vajzë e dashur sa më s’ka.
Mihai Eminescu
Përktheu Perikli Jorgoni
