Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Dibranët në bibliotekë

Lidhja e Intelektualëve Dibranë, zgjodhi për të dytin vit rresht bibliotekën, këtë herë për të promovuar librin më të fundit të autorit dibran, z. Aqif Ademi. Nën titullin shprehës, “Me dibranët e shquar ndër vite”, autori ka arritur të bëjë bashkë në 2 vëllime rreth 200 intelektualë dibranë, të cilët me punën dhe përkushtimin e tyre, kanë lënë gjurmë në historinë e Dibrës si dhe kanë tejkaluar kufijtë lokalë, duke reflektuar vlera dhe emër të mirë kudo ku ata jetojnë. Kjo biografi kolektive është fryt i një pune kërkimore disavjeçare dhe me përkushtim të thellë nga autori, i cili njihet gjerësisht në komunitetin dibran, jo vetëm si autor i disa librave me vlera patriotike, por edhe për krijimin e një sërë emisionesh për figura të shquara dhe traditat më të spikatura të Dibrës. Në takim, përshëndeti pjesëmarrësit dhe autorin kryetari i Lidhjes, z. Shpëtim Cami, i cili vuri theksin dhe në bashkëpunimin e Lidhjes së Intelektualëve Dibranë me bibliotekën, si institucioni i ruajtjes dhe përçimit të fjalës së shkruar. Dekani i Fakultetit te Shkencave Humane (UE), njëherazi dhe kryetari i LID-Dega Elbasan, z. Ardian Lami, moderoi këtë takim letrar, i cili, padyshim, do të pasohet nga të tjerë në vazhdimësi.

Leave a Reply