Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Krijimtaria e pamatë e Xhevairit

Sot, patëm në sallë, botuesin, studiuesin, redaktorin, përkthyesin, kritikun dhe autorin e mirënjohur bashkëkohor, z. Xhevair Lleshi. Ai e zgjodhi bibliotekën për të folur rreth krijimtarisë së tij, e cila shtrihet në një periudhë mbi 30-vjeçare, me tematika të ndryshme, duke filluar nga trillet romanore, dramat, komeditë, poemat, biografitë, analizat e personazheve të mirënjohur të letrave shqipe, studimet sociologjike, metodat, romanet historike, esetë, etj.

Konceptuar në një formë bashkëbisedimi me nxënës të gjimnazit “Dhaskal Todri”, autori tregoi se në krijimet e tij ai ka përdoruar mënyra të tërthorta për të thënë të vërtetën. Në morinë e romaneve të tij, ai të cilin e konsideron të vërtetë, është romani me titull “Tërbimi”, ku ai rrëfehet haptas, duke sjellë një realitet të veçantë, aktual, një narrativë që trajton pasojat e dhunës dhe urrejtjes, duke pasqyruar ngjarje që sjellin shkatërrimin e individëve dhe, rrjedhimisht, gjithë shoqërisë. Një libër tjetër, i ndjerë i tij, është ai kushtuar të birit, 6 vjet pas ikjes së parakohshme të tij nga kjo jetë. Sipas autorit, shkrimtarët duhet ta njohin mirë personazhin për të cilin shkruajnë, pasi, siç i ka ndodhur dhe atij vetë, në takimet me lexues të ndryshëm të letërisë së tij, shumë prej tyre e kanë gjetur veten pikërisht në ato personazhe që autori detajon në libër dhe kjo është një gjë e mirë, si për autorin, ngjarjen që ai sjell, ashtu dhe për lexuesin. Për Xhevairin, e rëndësishme sot, është që në letërsinë shqipe të përdoren sa më shumë dialogë, simbolika, alegori, ironi në mënyrë që letërsia të mos e thotë troç dhe përnjëherë të vërtetën, por të punojë me këto elementë në mënyrë që të pasurohet jo vetëm shkrimi dhe gjuha, por edhe tek lexuesi të kultivohet një lexim cilësor.

Xhevair Lleshi është nderuar me titullin “Mjeshtër i madh”. Që prej 1991 drejton me përkushtim shtëpinë botuese Uegen, një ndër më prestigjiozet në vend. Falënderojmë autorin, i cili në fund të takimit, dhuroi afërsisht 40 ekzemplarë nga krijimtaria e tij dhe e bashkëpunëtorëve të tij dhe e presim të rikthehet sërish në bibliotekën tonë.

Leave a Reply