Skip to content Skip to footer

Kini mëshirë, jam i pasur!

Kini mëshirë!

Kini mëshirë se jam i pasur me halle shumë!

Kam një depo me manufakture, një me sende ushqimi – kafe, sheqer, oris… Pra jam faktor pozitiv i jetës shoqërore. Sepse unë mvesh, mbath dhe ushqej botën. Kuptohet, me para! Fitimi që kërkoj është i vogël: 1000 deri në 5000 për qind. E ç’janë 5000 për qind kur mund të hap gojën e të kërkoj më shumë? Kush do më ndalonte? A s’është malli im? A s’e kam sjellë me dirsën e ballit nga Italija me leje të veçantë si favor politik se kisha devizë të zezë edhe shpirt të një ngjyre me devizën?

Kam edhe disa ndërtesa në Durrës e në Tiranë, po jo gjë e madhe. Vetëm midis 2 edhe 5 kate. Pa fjalë se kam edhe mall në Itali, po qiratë janë të ulëta.

Napolonat që kam s’munt t’i përdor, se shpresoj të ngrihet kursi. I le atje ku janë, për të tjera vakte më të mirë. Se s’jam i çmëndur të përdor florinë për të ngrënë e për të pirë. Sepse për të ngrënë e për të pirë përdor fitimet e fitimeve të fitimeve nga fitimet e shkallës së njëzet e pesë.

E pse ra fjala për të ngrënë e për të pirë, jam fort keq, i mjeri unë. Kam një depo me mjell të bardhë makarona të bardha (si i ka hije shpirtit të zi!) po kjo depoja ime po mbarohet. Më 1948 s’do kem asgjë përveç verës dhe konjakut që kam boll deri të fillojë lufta e tretë e përbotëshme.

Ishallah! Ishallah! Se do kem mënt për të fituar, jo si tani.

A mos pandehni se është lumtëri e madhe për mua të jem i pasur? Kësaj vere nuk vajta dot as në Riviera, as në Venetik, as në plazhën e Nice-s. Mbeta si mos më keq në këtë vend të lik, ku s’ka jetë prej njeriu. Automobilat më mbetnë të papërdorura edhe skush s’ka që të më adhurojë unazat e mija me xhevahirë sa një sy maçoku. Ha e pi e fli – po a mos kësaj i thonë jetë?

Dhe fatkeqësija më e madhe as puna s’po më vete. S’gje, mall të ri për të blerë e për të shitur. U mbyll bota! Është e vërtetë se çmimi i mallit të vjetër më madhohet dita me ditën, po kësaj nuk i thonë punë! Unë dua të fitoj me koshe, jo si tani. Pa kam merak mos më vjedhin mallin…

Si e shihni: me do e mos duhet të kini mëshirë për mua të mjerin se jam i pasur!

Më i lumtur është ay që s’ka. Ay s’jep as tatime, si mu, e as të tjera. Fle i qetë, aqë më fort se është bark-bosh e afif.

Kini mëshirë, kini mëshirë, kini mëshirë…

 

Lugati, “Havadan më havadan”, pamfleta, 1944, fq. 101 – 103. (pseudonim i Mitrush Kuteli)

Leave a Reply