Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Ti ke Libanin tënd dhe dilemën e tij. Unë kam Libanin tim me bukurinë e tij te pakufishme.

Libani yt eshtë arenë e politikës dhe problemeve të saj, ndërsa Libani im është i ndryshëm në gjithë bukurinë e tij.

Ti ke Libanin tënd me përleshje dhe programe, kurse unë kam Libanın tim me shpresa të endërruara.

Ji pra i kënaqur me Libanin tënd, ashtu siç unë këndellem me Libanin e lirë të syrit tim.

Libani yt është një nyjë e ndërlikuar politike që koha përpiqet ta zgjidhë. Libani im është një varg malesh dhe kodrinash që nderueshëm e plot madhështi, drejt qiellit të kaltër ngrihen.

Libani yt është një çështje e pazgjidhur ndërkombëtare që akoma kërkon zgjidhje,

Libani im janë luginat në të cilat jehojnë tingujt e këmbanave të kishave dhe gurgullima e përrenjve.

Libani yt është një mollë sherri në mes perëndimorëve dhe kundërshtarëve të jugut.

Libani im është një lutje krahëhapur që fluturon në agun e mëngjesit, teksa barinjtë delet e tyre nëpër livadhe i shpiejnë, dhe mbrëmjeve kur mëditësit nga arat dhe vreshtat e tyre kthehen.

Libani yt është veçse regjistër shpirtërash të panumërt,

Imi është porsi një mal i qetë që qëndron midis detit dhe ultësirës, si një poet mes dy amshimeve.

Libani yt është si ai mashtrimi i dhelprës kur hijenës i afrohet, dhe dredhia e hijenës kur me ujkun takohet.

Libani im është një kurorë kujtimesh për shërbëtoret që hënës i klithin dhe virgjëreshat që këndojnë nepër lëmenj dhe shtrydhëse rrushi.

Libani juaj është një fushë shahu ku luajnë peshkopi e gjenerali,

Imi është një tempull në të cilin shpirti im gjen prehje kur kapitet nga ky qytetërim që rend mbi rrotë që cijatin.

Libani yt janë dy njerëz: taksapaguesi dhe taksavënësi.

Libani im është njeriu që kokën në pëllëmbë mban, në hijen e Kedrave të Shenjtë, duke harruar gjithçka përveç Zotit dhe dritës së diellit.

Libani yt janë portet, postat dhe tregtia,

Imi janë mendimi largpamës, dashuria e zjarrtë dhe fjala hyjnore, që pëshpërit Toka në veshin e Gjithësisë.

Libani yt janë zyrtarët, nëpunësit dhe drejtorët, Libani im është pjekuri rinore, vendosmëri burrërie dhe urti pleqërie.

Libani yt janë përfaqësues dhe këshilla,

Libani im është takim i sërishëm përreth vatrës në netët e stuhishme, kur terrin e zbut bardhësi dëbore.

Libani yt janë partitë dhe sektet,

Libani im është rinia që ngjitet drejt lartësive shkëmbore, kapërcen përrenjtë dhe bredh fushave.

Libani yt janë fjalimet, ligjëratat dhe debatet,

Imi është cicërimë e bilbilit, shushurimë degësh nëpër korije, jehonë e xhurasë së bariut gjithandej fushave.

Libani yt janë maskat, rregulloret dhe mashtrimi,

Imi është e vërteta e thjeshtë dhe pa hile.

Libani yt janë ligjet, regullat, dokumentet dhe raportet diplomatike,

Imi është një vend në kërkim të fshehtësive të jetës, që ai i njeh i pavetëdijshëm për dijen që zotëron;

Libani im është gjakim i përsosur për të arritur gjer në cepin e fundit të të panjohurës dhe beson se kjo nuk është veç ëndërr.

Libani yt është një plak i vrenjtur që fërkon mjekrën dhe mendon vetëm për vete.

Ndërsa Libani im është një djalë i ri, i gjatë sa një kullë, që buzëqesh si agimi dhe për të tjerët mendon si për veten.

Libani yt dëshiron që të shkëputet, dhe që njëkohësisht, të jetë i bashkuar me Sirinë.

Libani im as bashkohet e as shkëputet, as zmadhohet e as zvogëlohet.

Ti ke Libanin tënd, unë kam timin,

Ti ke vendin tënd, Libanin tënd, bijtë e tij, unë kam timin dhe bijtë e tij.

Por, kush janë njerëzit e Libanit tënd?

Më lejo pra t’u tregoj kush janë në të vërtetë:

Ata janë shpirtra që kanë lindur në spitalet e Perëndimit, fantazmat e të cilëve janë zgjuar në krahët lakmitarë të fisnikërise së stisur.

Ata janë porsi degët e luhatshme që epen djathtas-majtas. Dridhen ata që nga agimi e gjer në muzg, por të vetëdijshëm s’janë për dridhmat e tyre.

Ata janë si një anije pa timon e direk që valët e luhasin. Dyshojnë në kapitenin që si port ka një shpellë demonesh; sepse, a nuk eshtë vallë çdo kryeqytet në Europë një shpellë demonësh?

Të mitë janë të fuqishëm dhe gojëmbël midis tyre, por të ngathët dhe të pagojë përballë europianëve.

Ata janë të lirë, reformatorë të zjarrtë, por vetëm në gazeta dhe foltore. Kuakin si bretkosa dhe thonë “Po lirohemi nga hasmi ynë i vjetër”, por hasmi i vjetër fshihet në shtatin e tyre.

Në varrim shkojnë me këngë e valle, ndërkohë që karvanin e dasmorëve e përshëndesin me klithma të çjerra e duke i kapur për rroba.

Nuk ndiejnë uri derisa nuk u kërset në xhepa. Dhe kur ata hasin ndokënd që urinë e ka shpirtërore, i largohen atij dhe e shpotitin duke i thënë: Një fantazmë që bredh botës së fanitur.

Ata janë si skllevër, të cilëve u janë ndërruar prangat e ndryshkura me të reja që u shkëlqejnë dhe mendojnë se janë të lirë.

Këta janë pra fëmijët e Libanit tënd. A ka në mesin e tyre ndonjë syresh si shkëmbi i Libanit, fisnik si malet e Libanit, i kthjellët si ujërat e Libanit, apo e qashtër dhe e freskët si puhiza përtëritëse e ajrit të Libanit?

Cili prej tyre mund të guxonte të thoshte se jeta e tij s’qe gjë tjetër veç një pikë gjaku në damarët e Libanit, ose një pikë loti në sy, ose një buzëqeshje në gojën e tij!

Këta janë bijtë e Libanit tënd. Aq sa janë madhështorë në sytë e tu, po kaq janë të vegjël në sytë e mi!

Lejomë të të them se kush janë bijtë e Libanit tim:

Ata janë fshatarët që tokën e djerrë e shndërrojnë në pemishte e kopshte.

Ata janë barinj që i shpiejnë tufat e tyre nga njëra luginë në tjetrën t’i rrisin, shumojnë dhe marrin mishin e tyre për ushqim dhe leshin për rroba.

Bijtë e Libanit tim janë vreshtarë që rrushin e shtypin dhe bëjnë verë të mirë.

Etër që ngrehin fidanishte, nëna që tjerrin fije mëndafshi.

Burra që grurin korrin dhe gratë që duajt i mbledhin.

Ata janë ndërtues, poçarë dhe derdhës kambanash.

Ata janë poetë e këngëtarë që shpirtrat e tyre i derdhin në vargje të reja.

Janë ata, që pa një dyshkë ikin nga Libani në vende të tjera, ndërsa zemra iu digjet nga malli dhe vendosmëria për t’u kthyer, ah, një ditë me ndoca katandi të fituar dhe me një kurorë dafine ballstolisur, Janë ata që përshtaten në mjedisin e ri dhe janë të vlerësuar ngado që shkojnë.

Janë ata që në kasolle u lindën dhe në pallate madhëshore të dijes frymën e fundit thithën.

Këta janë pra bijtë e Libanit; janë flakadanë të pashuar dhe kripë që s’prishet kurrë.

Janë ata që ecin me hapa të mëdhenj drejt të vërtetës, të bukurës dhe përsosmërisë.

Çfarë do t’i lësh vendit tënd, Libanit, dhe bijve të tij pas njëqind vjetësh? Më thuaj, pra! Çfarë do t’i lësh së ardhmes përpos mburrjes, hipokrizisë dhe marrëzisë?

A thua beson se qielli do të ruajë në thellësitë e tij hijet e vdekjes dhe kutërbimin e varreve?

A mendon se jeta do të veshë trupin e vet me zhele?

Dua të të them se një rrënjë e re ulliri rrëzë kodrave të Libanit do t’i mbijetojë veprat apo arritjet e tua. Ndërsa parmenda e drunjtë që tërhiqet nga qetë nëpër arat e Libanit, është më e fisme se çdo ëndërr dhe lakmi jote.

Po të them pra, e dëshmitare më eshtë ndërgjegjja e gjithësisë, se këngët e një kopshtareje e luginave të Libanit, janë më të vlefshme se dërdëllitja e shkëlqimeve tua.

Kujto se je një hiç. Dhe, kur ta shohësh vogëlsinë tënde, urrejtja ime për ty do të shndërrohet në keqardhje dhe dashuri. Mëkat që nuk e kupton.

Ti ke Libanin tënd, ndërsa unë kam Libanin tim.

Ti ke Libanin tënd dhe bijtë e tij. Ji pra i kënaqur me të nëse të gëzojnë flluskat e zbrazta. Ndërsa unë, ndihem i lumtur dhe i qetë me Libanin tim, dhe në vështrimin tim drejt kësaj toke ka shpresë, kënaqësi e paqe pa fund.

 

© “Profeti. Libani yt dhe Libani im“, Kahlil Gibran, Prishtinë, 2016

Foto ilustruese pikturë e Kahlil Gibran (1895).

 

 

Leave a Reply