Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër (botuar edhe si “1984”) u botua #sisot, më 8 qershor 1949 nga Secker & Warburg, si libri i nëntë dhe i fundit i shkruar nga Xhorxh Oruell (George Orwell ang.) – emri i artit i autorit anglez Erik Artur Bleir (Eric Arthur Blair ang.).
Përsa i përket tematikës libri ka në fokus totalitarizmin. I klasifikuar si vepër e zhanrit të trillit politik, romani ofron më shumë sesa një tregim distopik. (Në letërsi termi distopik përdoret për ato vepra ku përshkruhet një botë imagjinare, e zymtë, ku njerëzit jetojnë në mjerim, shpesh nën shtypjen e një qeverie totalitare. Është antiteza e konceptit utopik.)
Romani “1984”, erdhi në kohën kur kishim një Europë ende të shkatërruar nga Lufta e Dytë Botërore dhe bota ishte e ndarë në dy blloqe të qarta ideologjike dhe në tension të vazhdueshëm në rritje midis tyre, Perëndimit me Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik në Lindje.
Në një lexim të parë të librit, të krijohet mendimi se totalitarizmi ka fituar plotësisht. Por, në një analizë më të hollësishme fshihet diçka tjetër. Ka një element shumë të rëndësishëm: është fakti se ngjarja është e shkruar në kohën e shkuar. Ky detaj brenda librit sugjeron se sistemi totalitar nuk është i përjetshëm. “1984” është një vepër që, në mënyrë të jashtëzakonshme, na mëson të shohim përtej errësirës dhe na kujton se çdo sistem, sado i fuqishëm që mund të jetë, është i përkohshëm.
Mesazhi i romanit Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër ose “1984” bëri të mundur krijimin dhe përdorimin e gjerë në fjalorin e letërsisë, filozofisë dhe politikës të fjalës “orwellian”, si mbiemër, si një mendim filozofik. Gjithashtu, shumë terma të përdorur në këtë vepër, kanë hyrë në përdorimin e zakonshëm intelektual, si: “Vëllai i Madh” (Big brother ang.), “mendim i dyfishtë”, “Policia e Mendimit”, “krimi i mendimit”, “Gjuha e Re”, si dhe shprehja “2 + 2 = 5”.
Revista Time e përfshiu “1984” në listën e saj të 100 romaneve më të mira në gjuhën angleze të botuara nga viti 1923 deri në vitin 2005. Romani u vendos në listën e 100 romaneve më të mira të Bibliotekës Moderne, duke u renditur i 13-ti në listën e kritikëve dhe numri 6 në listën e lexuesve. Në vitin 2003 u rendit i 8-ti në anketën The Big Read nga BBC.
Historia e romanit, prej vitit 1953, është adaptuar disa herë në radio, televizion dhe film si dhe në përshtatje të tjera mediatike që përfshijnë teatrin, një opera dhe balet. Në kinema, nga të gjitha mediat, më i famshmi mbetet realizimi me titull Nineteen Eighty-Four, i vitit 1984, me protagonistë aktorët John Hurt, Suzanna Hamilton dhe Richard Burton.
Deri në vitin 1989, Njëmijë e nëntëqind e tetëdhjetë e katër ishte përkthyer në 65 gjuhë, më shumë se çdo roman tjetër në anglisht në atë kohë, tanimë është dhe në gjuhën shqipe me disa botime.
Xhorxh Oruell (Eric Arthur Blair) lindi në vitin 1903 në Indi, por u rrit në Angli. Pas eksperiencave të hershme si pjesëtar i Policisë Mbretërore në Burma dhe më vonë si pjesë e Luftës Civile Spanjolle, ai u angazhua si shkrimtar dhe gazetar, i njohur për vizionin e tij kritik ndaj totalitarizmit dhe propagandës.
Në lidhjen pasuese mund të lexoni librin, në shqip, në variantin pdf:
