Huan Ramon Himenes (1881 – 1958). Një nga poetët me ndikimin më të madh në poezinë spanjolle të fillimshekullit të XX. Lidhur me mjeshtërinë poetike, është bërë e njohur motoja e këtij krijuesi mjaft kërkues ndaj vetes: “Vepra ime më e mirë është pendimi im i vazhdueshëm për veprën time”. Është laureat i çmimi Nobel në Letërsi në vitin 1956 me motivcionin “për poezinë e tij lirike, e cila në gjuhën spanjolle përbën një shembull të shpirtit të lartë dhe pastërtisë artistike“.
Lakuriq
E hirtë lindte hëna, Bethoveni mbi tastierë
nën dorën e saj të bardhë një vaji seç ia niste.
Ndërsa i binte pianos, në atë dhomë të errët,
nën vezullimin e hënës tri herë e bukur ishte.
Për ne lulet e zemrës më s’kishin asnjë shije,
dhe ndoshta edhe qanim, sho-shokun pa e parë.
Çdo notë sikur ndizte një plagë dashurie
dhe pianoja përpiqej të merrte vesh ç’kish ngjarë.
Pa hynte nga ballkoni një brymë gjithë yje,
një erë e pikur frynte prej botësh të padukshme.
Ndërsa ajo më pyeste për gjëra që s’i dija
dhe unë i përgjigjesha për gjëra të pamundshme.
©“Poezi spanjolle të shekullit XX”, përgatitur dhe përkthyer nga Aurel Plasari
Çdo vit në Tiranë, por dhe me shtrirje në qytete të ndryshme të Shqipërisë, me nismën e Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit: “Shqipëria mikpret botën”, zhvillohen aktivitete në kuadër të Javës Kulturore Spanjolle. Këtë vit, kjo javë është përcaktuar në periudhën 3 – 7 nëntor 2025.
