Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Bevapi i bibliotekës – k(K)ujtimi i Elbasanit

Në rubrikën Elbasani në shkrim dhe në shpirt sjellim sot pedagogun e dashur, studiuesin e palodhur, gjurmuesin e historisë së qytetit të Elbasanit, ish-kolegun tonë, profesorin Kujtim Bevapi. Kushdo që e ka njohur apo ka punuar me profesor Kujtimin, padyshim ka parë tek ai një njeri serioz dhe modest, i cili punonte në heshtje duke gëzuar kështu simpatinë jo vetëm të kolegëve dhe bashkëpunëtorëve, por edhe të frekuentuesve të shumtë të bibliotekës, në vitet kur ai punoi dhe e drejtoi këtë institucion me seriozitet dhe vizion. Profesor Kujtimi ishte i pari që përgatiti dhe botoi bibliografi tematike sipas standardeve të bibliotekonomisë, duke nxjerrë në pah vlerat unike të bibliotekës sonë dhe duke krijuar një traditë që vazhdon edhe sot e kësaj dite. Duke patur fatin që pakkush e ka, atë të shfletimit dhe hulumtimit nëpër librat e panumërt të bibliotekës, për profesor Kujtimin, e gjithë kjo dije shndërrohej në botime, studime të thelluara dhe ngritje problematikash për tema aktuale e delikate, për të cilat ai sugjeronte qasje dhe zgjidhje adekuate. Në artikujt e tij të botuar në konferenca kombëtare e ndërkombëtare si dhe në shtypin lokal e kombëtar, ai i mëshoi fort rëndësisë dhe nevojës për një arsim cilësor dhe të qëndrueshëm dhe këtë shtysë ai, padyshim, e merrte nga modeli i Normales dhe nomalistëve të dalë prej saj, të cilët ai i kish studiuar dhe analizuar imtësisht në botimet e tij. Objektivi i tij kryesor ishte që ta shndërronte Elbasanin në kryeqytetin e arsimit në Shqipëri, pasi siç e thotë dhe vetë në shkrimet e tij “Elbasani mbetet, pa dyshim epiqendra e lëvrimit të gjuhës shqipe dhe e zhvillimit të arsimit kombëtar”. Si vijues i plejadës së studiuesve të Elbasanit, ai ishte njohësi i pashembullt i trevës dhe i vlerave të saj. Kjo gjë u duk kur ai u përzgjodh si drejtues i projektit 3-vjeçar (1998-2000) të Bashkisë së qytetit: “Elbasani-Histori dhe aktualitet, vlerë dhe traditë”, projekt i cili përfundoi me realizimin e 3 botimeve: “Normalja në fokus të bashkëkohësisë”, “Në panteon drejt panteonit 2000” dhe “Elbasani-Enciklopedi”. Ai ishte njëherazi kryeredaktor dhe kryetar i grupit në hartimin e “Elbasani-Enciklopedi” si dhe mban autorësinë për hartimin e një sërë zërash në këtë enciklopedi që kapin fushën e arsimit dhe kulturës popullore.

Puna disa vjeçare në auditoret e Universitetit “Aleksandër Xhuvani”, bashkë me botimet e tij, tregojnë se profesor Kujtimi e njihte Elbasanin në të gjithë dimensionin e tij historik, politik, arsimor, kulturor, shoqëror e fetar. Ai konsiderohej si një pikë referimi dhe si busull orientimi për të gjithë pedagogët e rinj, me të cilët profesori ishte i papërtueshëm dhe bashkëpunues. Kur dikush ndahet nga jeta, në bisedat tona shpesh themi; “…vendi bosh i tij…”, por në rastin e profesor Kujtimit vendi nuk është bosh, përkundrazi, vendi i tij është aty, plot me kujtimet me të, me punën e tij, me studimet, botimet dhe sugjerimet e tij e natyrisht, me ngrohtësinë dhe empatinë që ngjallte prania e një personaliteti të tillë. Ah, po, profesor Kujtimi do të mbetet kolegu, studiuesi dhe pedagogu “i munguar”, i cili me profilin e tij modest dhe prodhimtar do të jetë gjithmonë burimi i pashtershëm i dijes dhe qytetarisë.

 

 

 

Leave a Reply