A e dini se …
Ora e verës, apo njohur ndryshe si ndërrmi i orës (Daylight Saving Time – DST ang.), hyri në fuqi për herë të parë në Shtetet e Bashkuara, #sisot më 31 mars 1918. Qëllimi ishte që, duke e zhvendosur orën me 60 minuta para, të shfrytëzoheshin orët me diell gjatë ditës në mënyrë që të kursehej përdorimi i burimeve të tjera të energjisë. Historikisht, nuk ka prova nëse edhe më herët janë adoptuar ndryshimet sezonale të orës. Për kuriozitet, po përmendim një letër satirike drejtuar redaktorit të Journal de Paris në vitin 1784, ku Benjamin Franklin sugjeroi që “… nëse parisienët mund të zgjoheshin më herët gjatë verës, ata do të kursenin përdorimin e qirinjve dhe vajit”, por në fakt ai nuk e propozoi ndryshimin e orëve.
Në vitin 1895, astronomi nga Zelanda e Re, George Hudson, i bëri Shoqërisë Filozofike të Wellingtonit propozimin e parë realist për të ndryshuar orët me dy orë çdo pranverë, por kjo nuk u zbatua deri në vitin 1928. Në vitin 1907, William Willett propozoi miratimin e Orës Verore Britanike si një mënyrë për të kursyer energji; gjë që nuk u zbatua deri në vitin 1916.
Zbatimi i parë i DST-së u bë në Ontario, Kanada, në vitin 1908, por vetëm në nivel lokal, jo kombëtar, ndërkohë që në nivel kombëtar u bë nga Perandoritë Gjermane dhe Austro-Hungareze, të dyja duke filluar më 30 prill 1916. Që atëherë, shumë vende kanë miratuar DST-në në kohë të ndryshme, veçanërisht që nga kriza energjetike e viteve 1970.
Që prej vitit 1981 u vendos që e gjithë Europa të aplikonte ndryshimin e orës në periudhën prej të dielës së fundit të muajit mars e deri të dielën e fundit të muajit tetor.
Burimi: https://en.wikipedia.org/wiki/Daylight_saving_time#Overview
