Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Tregtari

***

Ai ishte tregtari më i vjetër i Tiranës së Re. Ulur në autobusin e linjës, ngjitur me një vajzë.

– Të poshtrit, sapo më vunë një gjobë tremilionëshe! Biznesi im nuk i nxjerr aq para as në tre muaj!

– Me mua e keni, xhaxhi?

– Jo, flas me vete!

– Po edhe ju duhet të mësoni të deklaroni shitjet, – ia ktheu vajza monologut!

– Nuk kam ku të lëviz, po i deklarova te gjitha!

– Ç’do me thënë?

– Të qepur e ke këtë fustan?

– Jo, të blerë.

– Po ta kishe të qepur, copën e blerë do ta kishe më të madhe se fustanin, pra do të kishe ku të lëvizje…

– Të thashë që është i blerë!

– Me se meresh, moj vajzë? – pyeti i moshuari.

– Poete freelance!

– Nuk kuptoj!

– Jam shkrimtare! – theksoi ajo.

– Sa shkronja ka një fjalë?

– Ç’është kjo! Po ja, tre, katër… gjashtë… varet!

– Alfabeti ka 36 shkronja! E shikon? Ke ku lëviz!

– Xhaxhi, pse mundohesh kot! Kinezçja ka për çdo fjalë një shkronjë!

– Ah, – tha me vete tregtari, jam europian i vjetër, por më lanë pas portës… Mirë të më bëhet!

Vajza e pa që e teproi dhe i zgjati një libër.

– Merre, – i tha, – janë poezi dashurie, të heqin stresin.

Ai e pa mëdyshas.

– Në cilën gjuhë janë shkruar? – pyeti.

– Në gjuhën e mëmës, – i tha me ton ajo.

– Nuk i dua! – tha ai. – Do lexoj këtej e tutje autorë kinezë. Ata i deklaruakan të gjitha!

#tecmendurpasmozes

Leave a Reply