Hartimi i këtij buletini i cili bëhet për herë të parë erdhi si rezultat i nevojës për të pasqyruar punën e rëndësishme që biblioteka publike kryen sot për komunitetin, punë e cila i ka kaluar tashmë dyert e bibliotekës dhe funksionet klasike të saj. Biblioteka publike “Qemal Baholli” edhe pse është tradicionale në strukturë dhe infrastrukturë, nuk e ka ndalur asnjëherë misionin e saj të rëndësishëm: propagandimin e librit dhe thithjen e lexuesve të rinj. Kjo gjë, kohët e fundit, prej ndryshimeve që kanë ndodhur jo vetëm në botën e letrave por dhe të teknologjisë, përhapjes së infromacionit, qasjes ndaj tij, lehtësirave që krijon interneti, gjetjes së informacionit në mënyra që e zëvendësojnë rëndësinë e librit fizik, duket sikur e kanë vështirësuar punën e bibliotekave dhe bibliotekarëve, të cilët dukeshin sikur janë “të lënë pas dore”. Për fat të mirë, bibliotekat e kuptuan se tashmë nuk mund të shmangej ky ndryshim, dhe duke u ndërgjegjësuar së interneti dhe libri duhet të ecin përkrah njëri – tjetrit duke përsosur më së miri qëllimin e tyre, që është lexuesi dhe qasja e tij në informacion, hoqën barrierat të cilat e mbanin librin “të burgosur” dhe gjetën mënyra të përshtashme për ta çuar atë lehtësisht tek lexuesi.
Krijimi i fondeve të hapura ishte hapi i parë i këtij ndryshimi, gjë që në bibliotekën tonë është pasqyruar me themelimin e sallës së literaturës britanike, literaturës franceze, koleksioneve të periodikëve, bibliotekës së fëmijëve etj. U hodhën hapat e parë për digjitimin e materialeve bibliotekare, të cilat fillimisht janë ruajtur si materiale CD.
Viti 2022 shënoi fillimin e bashkëpunimit konkret me programin COBISS, i cili ka të bëjë me hedhjen online të bazës së të dhënave të fondit të bibliotekës. Hapi tjetër po aq i rëndësishëm, është ai i krijimit të faqes digjitale të bibliotekës, gjë që është mundësuar falë bashkëpunimit me Albanian Canadian Development Alternative të cilët kanë marrë përsipër të bëjnë digjitalizimin e të gjithë fondit tonë arkivor dhe të institucioneve kulturore dhe arsimore të qytetit të Elbasanit.
Në këtë buletin, do të tregohen në mënyrë të detajuar dhe kronologjikisht të gjitha aktivitetet, veprimtaritë, vizitat, dhurimet e ndryshme, që janë zhvilluar në bibliotekë dhe jashtë saj përgjatë vitit 2022. Buletini do të jetë i përvitshëm.
Elbasan, Janar 2023
