Skip to content Skip to sidebar Skip to footer

Bim Dakli dhe Elbasani i tri kohëve

Në rubrikën “Elbasani në shkrim dhe në shpirt” sjellim sot inxhinierin kimist, elbasanasin Bim Dakli. Edhe pse pjesën më të madhe të jetës e kaloi në Itali, ku u diplomua, krijoi familje dhe pati një karrierë të shkëlqyer profesionale, Bimi nuk i shkëputi asnjëherë lidhjet shpirtërore me Elbasanin, qytetin e tij të lindjes. Në kujtimet e tij, të hedhura në letër në një moshë të vonë, Dakli paraqet Elbasanin e tri periudhave: atë të viteve ‘30 të shekullit të kaluar, vitet e mbylljes dhe atë të pas viteve ’90, kur dhe ai rikthehet në atdhe. Në shënimet për fëmijërinë, Bimi rrëfen me imtësi për ngjarje të rëndësishme por edhe të zakonshme, të cilat lanë gjurmë në edukimin dhe formimin e tij dhe për më tepër kanë mbetur të fotografuara qartazi në memorjen e tij, të një fëmije kurioz, gazmor, të zgjuar dhe me etje për dije. Të sjella me një gjuhë të larmishme prej tij, përshkrimet e Elbasanit të viteve ’30-‘40, e sidomos të lagjes së tij, krijojnë në imagjinatën e lexuesit, filmin e një qyteti që tashmë ka mbetur i tillë vetëm në foto e kujtime. Fakti që u largua në moshë të re nga Shqipëria, bëri që Elbasani të ngulitej i pandryshuar në kujtesën e Bimit, dhe në komunikimin me familjarët gjatë viteve të mbylljes, ai vetëm mund të hamendësonte se çfarë ndryshimesh pësonte vazhdimisht ky qytet, ndryshime të cilat i pa me sytë e tij vetëm kur u rikthye pas afro 50 vjetësh. Këto kapërcime vitesh, me ndryshimet e mëdha që kishte pësuar tashmë Elbasani, ndonjëherë ishin të pashpjegueshme për Bimin, i cili para këtij qyteti që e kishte gjithë kohës në zemër, do mbetej ai djali i vogël çamarrok që gjithmonë do ta shikoje të rrethuar me shokët apo kushërinjtë e tij moshatarë. Nëse qytetin dhe ngjarjet e fëmijërisë deri në mbarim të shkollës së mesme, Bimi i përshkruan me detaje të imtësishme, Elbasani i pasluftës është pak i mjegullt për të; ai flet për këto vite nëpërmjet komenteve të të afërmve të tij apo informacioneve të pakta që merrte në letërkëmbimet me nënën dhe familjarët e tij. Rikthimi në shtëpi, në oborr e në atë lagje që kish ndryshuar thuajse tërësisht, pengjet e rinisë së munguar pranë familjes, pamundësia për t’i ritakuar dhe njëherë ata që tashmë nuk jetonin më, ishin shtysa që Bim Dakli t’i hedhë kujtimet e tij në letër. Këto kujtime, nuk janë vetëm histori personale; në to, ai përmend dhe emra apo figura të rëndësishme të qytetit, të cilat i i përshkruan me thjeshtësi dhe vërtetësi, ashtu siç dhe i kishte marrëdhëniet me to. Në copëzat e mallit të Bimit, janë të përshkruara me një zhdërvjelltësi natyrale bukuritë e qytetit dhe të rrethinave, kujtimet shkollore, marrëdhëniet njerëzore, dhe çka është më e rëndësishmja; dashuria në familje. Për t’i sjellë të gjitha këto në një libër, për Bimin nuk ishte e vështirë, pasi siç do të shkruante dhe ai vetë: “Përvoja jetësore u izolua në kujtesë si të ishte një kuti e mbyllur me objekte të çmuara dhe u ruajt aty pa humbje të mëdha”.

Leave a Reply