Në rubrikën “Elbasani në shkrim dhe shpirt”, sjellim sot eruditin modest elbasanas, enciklopedistin Ingrid Zaimi. Fjalët për të përshkruar karakterin dhe personalitetin e profesorit janë të pamjaftueshme edhe pse ai njihet nga të gjithë ne për nivelin e lartë akademik, urtësinë, modestinë dhe qytetarinë, tipare këto unikale, të gdhendura në një figurë të tillë aq fisnike. Shumë prej nesh e njohin Ingridin, apo Gidin – siç e thërrasin të afërmit, – si profesorin e zotë të matematikës, dhe më pak ndoshta e dinë që profesori shkruan, kryesisht prozë të shkurtër të ndërthurur me kujtime ku shpalosen vende, ngjarje dhe personazhe reale nga Elbasani. Krijimet e profesor Ingridit, të thjeshta në dukje, mund të konsiderohen si NJË KRONIKË E GJALLË e përshkrimit të Elbasanit të mesit të shekullit të kaluar dhe sidomos “skicimi” vetëm me fjalë i një shtëpie tipike elbasanase. Në tregimet e tij, edhe pse autori thotë që nuk janë ngjarje personale por të jetuara apo treguara nga miqtë e tij, dikujt që është bashkëkohës i autorit, mund t’i “gërvishet” kujtesa fare lehtë për të hamendësuar se për cilët personazhe bëhet fjalë në rrëfim; aq i qartë dhe përshkrues në detaje është autori. Kujtesa e tij fotografike nuk është bardhë e zi; ajo ka ngjyra, ka jetë; aty gjallon një e kaluar që pothuajse çdo elbasanas në moshë e ka kaluar në fëmijërinë dhe rininë e tij. Rruga, shtëpia, kopshti, objektet, me heshtjen e tyre flasin me zë të lartë për gjurmë dhe grimca jete duke na bërë të gjithëve nostalgjikë dhe dëshirues të një kohe që iku bashkë me rininë dhe kujtimet e saj. Rrëfimet e profesor Ingridit janë më të qarta dhe më të sakta sesa një film dokumentar i atyre viteve pasi ato janë të pacensuruara. Me këto shkrime e përshkrime, çdo arkitekt elbasanas mund të ndërtojë pa frikë maketin e Elbasanit të mesit të shekullit të kaluar apo të krijojë në 3D një shtëpi tipike dollmallie elbasanase. Pasi përfundon së shkruari, profesor Ingridit, i pëlqen që shpesh, me autoironi, të citojë shprehjen: “Imé plakut, men s’i duhen ma!!!” Por neve, njerëz të tillë na duhen sepse janë shkëndija dhe margaritarë të së kaluarës jo të largët e cila po harrohet me apo pa dashje.
Falënderojme profesorin për këto xhevahire që i ka lënë trashëgimisë së qytetit dhe siç do e mbyllte zysh Xhuljeta Stringa parathënien e librit të tij më të fundit: I urojmë autorit arritje të tjera që të na gëzojnë!
