Përmbledhja poetike “Fije bari” e poetit amerikan Walt Whitman, botuar për herë të parë #sisot, më 4 korrik 1855, është një nga librat që paraqet shpirtin e Amerikës ndërsa autori konsiderohet si poeti kombëtar i Shteteve të Bashkuara. Botimi i parë ishte një libër i vogël 95 faqesh me dymbëdhjetë poezi pa tituj, konceptuar nga Whitman në formatin e një libri xhepi, pasi siç shprehej vetë autori: “Kjo do t’i shtynte njerëzit të më marrin me vete dhe të më lexojnë në ajër të hapur; unë jam gjithmonë i suksesshëm me lexuesin kështu”. Whitman kaloi pjesën më të madhe të jetës së tij profesionale duke shkruar, rishkruar dhe zgjeruar atë gjë që rezultoi në botime shumë të ndryshme gjatë katër dekadave deri në vdekjen e tij në 1892. “Fije bari” në kohën kur u botua ishte shumë i diskutueshëm për imazhet e tij eksplicite seksuale dhe Whitman ishte shpesh subjekt i talljeve apo mohimeve nga shumë kritikë bashkëkohorë. Por, me kalimin e kohës, koleksioni ka depërtuar në kulturën popullore dhe është njohur si një nga veprat qendrore të poezisë amerikane.