Biblioteka hapi dyert për t’i mbledhur bashkë dashamirës të librit e të leximit, miq të bibliotekës, mësues, artistë të qytetit, të cilët në mënyrë figurative dhe simbolike i dhanë lamtumirën e fundit shkrimtarit të madh, Kadare. Në takim mori pjesë dhe kryetari i bashkisë z. Gledian Llatja i cili në fjalën e tij e vlerësoi Kadarenë si ambasador të përjetshëm të kulturës shqiptare ne botë. Shumë nga të pranishmit morën fjalën për të shprehur mirënjohje dhe falënderimë të sinqerta për krijimtarinë e paçmuar të Kadaresë, e cila qëndron në majë të Olimpit të letrave shqipe. Në largimin e tij nga ky udhëtim tokësor, mungesa e Kadaresë do të jetë vetëm fizike, pasi ai do të jetojë përjetësisht mes nesh me krijimtarinë e tij të jashtëzakonshme.
Nderim, respekt dhe mirënjohje për kolosin e letërsisë shqipe!
Më poshtë është fjala përshëndetëse e mikes së bibliotekës, Marsela Neni.
KADARE – “MATERIA GRI” E LETRAVE SHQIPE
Lajmin e ndarjes nga jeta të kolosit të letrave shqipe, Ismail Kadare, e përcolla me keqardhje, si shumë shqiptarë , si shumë lexues të veprave të tij në Evropë e në botë.
Figura e Kadaresë është shumëdimensionale si intelektual e mendimtar aristokrat, shkrimtar i përmasave evropiane e botërore, e megjithatë në jetën e tij të gjatë profesionale ai e ka orientuar lexuesin gjithnjë drejt shkrimtarisë së tij. Nëse kishte diçka për të thënë rreth një çështjeje, ai zgjodhi gjithnjë ta thoshte mendimin e tij përmes shkrimit, përmes veprave. Ai nuk ishte njeriu i mendimit të drejtpërdrejtë, njeriu i ekraneve, intelektuali që merr në dorë fatin e vendit të tij, ashtu siç mediokrit besojnë se duhet të jetë roli i një shkrimtari të madh. Ndër të tjera, edhe për këtë arsye, shpesh edhe u keqkuptua dhe u anatemua Unë mendoj se Shkrimtari ka një dhe vetëm një detyrim: të shkruajë.
Kadare e ka përmbushur me shumë përkushtim detyrimin, misionin e tij. Ky ambasador i kulturës dhe kombit shqiptar kudo në botë i ka dhënë letërsisë shqipe e asaj botërore disa kryevepra e një korpus të larmishëm veprash romanore, eseistike e poetike që ia lë trashëgim çdo shqiptari e më tej çdo lexuesi në të gjitha gjuhët me të cilat vepra e tij flet me tjetrin.
Edhe pse lexuese e hershme e veprave të tij nuk e kam kuptuar qartë emrin, ndikimin dhe rolin e tij të madh derikur në daljen e parë timen jashtë Shqipërisë, një intelektual gjerman në një bisedë më pyet: “Nga vini ju?” “Nga Shqipëria,”- i përgjigjem. Ai nuk nguroi të më pyeste nëse Shqipëria ishte një shtet afrikan. Edhe pse u ndieva pak në siklet dhe pak e fyer, e sqaroj që Shqipëria kufizohej nga Greqia dhe ujërat e Adriatikut e ndanin nga fqinji përballë, Italia. “Ah, ju jeni nga vendi i Ismail Kadaresë!”- brofi ai në këmbë.- “E dashuroj Kadarenë. Kam lexuar “Gjenarali i ushtrisë së vdekur” dhe “Kronikë në gur” dhe jam magjepsur pas shkrimtarisë së tij.” Në atë bisedë kuptova se unë vija nga vendi i Kadaresë. Zotëria, njihte gjithashtu Skëndërbeun dhe Nënë Terezën, por nga të tre veç Kadareja ishte gjallë, nuk ishte një mit.
Në komente mes miqsh kur morëm vesh lajmin e ikjes së tij fizike, një student (A. Bedhija) më shkruan: “Kadareja ishte materia gri e letrave tona, coha në të cilën u qëndis një gjysmëshekulli histori.”
Ishte ajo sintagmë “materia gri” që më zhyti në mendime…
Sapo i shqipton ato dy fjalë përnjëmend të shfaqet përpara syve imazhi mbizotërues i krejt krijimtarisë së patëdytë të Kadaresë: grija, mjegulla, trishtimi, shiu, malli, misteri, gurët gri të sokakëve, hetuesia, spiunimi, vetmia e madhe, korridoret e ngushtë të nëndheshëm, ëndrrat e arkivuara, marrëzia, aq fort ‘e dashur’ për të krijuar, por jo vetëm kaq…
Në anatomi me termin “materia gri” nënkuptojmë një ind të përbërë kryesisht nga trupa neuronesh, të cilët kur gjenden në qendër të formimit në nivelin e trurit, ata vendosen në sipërfaqe për të formuar atë që quhet ‘korteks cerebral’. Kjo materie gri e vendosur në bërthamat bazike kortikale cerebrale është pjesa më e fundit në evolucionin e sistemit nervor qendror. Kurse në palcën kurrizore materia gri merr formën e një fluture që ka dy brirë.
Briri i përparmë është përgjegjës për funksionet motorike, kurse briri i prapmë është përgjegjës për funksionet shqisore, veçanërisht ato emocionale dhe të dhimbjes.
Kadareja është ‘Materia gri’ e letrave shqipe. Tani ju mund ta përfytyroni më qartë se çfarë rëndësie, roli a funksioni ka vepra e Kadaresë në letërsinë shqipe.
Si mësuese letërsie ndjej keqardhje që s’do të kem më një rast përjashtues në kurrikulën shkollore që t’u dëshmoj nxënësve, kur t’i njoh ata me programin lëndor, që letërsia e mirë shkruhet dhe nga të gjallët.
Si studiuese, poete dhe përdoruese e gjuhës shqipe i jam thellësisht mirënjohëse këtij mjeshtri të madh të fjalës shqipe dhe mendimit shqip.
Si lexuese jam e pasur. Kadare më ka lënë pas dashurinë e tij më të madhe, më të vetme – Letërsinë.
Elbasan, më 3.07.2024
